Në kërkim të një marrëveshjeje, BE-ja shqyrton një objektiv më fleksibël për klimën
Vendet e Bashkimit Evropian po negociojnë propozime për t'u dhënë industrive një rrugë më fleksibile drejt përmbushjes së objektivave klimatike, tregoi një draft dokumenti i BE-së, ndërsa blloku përpiqet të fitojë mbështetje nga qeveritë për një objektiv të ri për uljen e emetimeve deri në vitin 2040.
BE-ja po negocion një objektiv ligjërisht të detyrueshëm për të ulur emetimet neto të gazrave serrë me 90% deri në vitin 2040 dhe po nxiton ta miratojë qëllimin përpara se udhëheqësit botërorë të mblidhen për samitin e klimës COP30 të OKB-së më 6 nëntor.
Megjithatë, muaj të tërë negociatash deri më tani nuk kanë dhënë rezultate, pasi disa qeveri kanë shtyrë përpara masat e gjelbra dhe kanë ngritur shqetësime se si të financohet tranzicioni me karbon të ulët, së bashku me prioritete si mbrojtja dhe rigjallërimi i industrive.
Një draft propozimi kompromisi i BE-së, i parë nga Reuters, tregoi se vendet kanë hartuar plane që do t'i lejonin BE-së të rishikojë objektivin e vitit 2040 çdo dy vjet - duke i lejuar potencialisht Brukselit ta dobësojë qëllimin në të ardhmen.
Drafti do të përcaktojë gjithashtu në ligj një angazhim që nëse pyjet thithin më pak emetime të CO2 sesa pritej, ose teknologjitë për të hequr CO2 nga atmosfera zhvillohen më ngadalë se sa ishte planifikuar, industritë e tjera nuk do të detyrohen të ulin emetimet më shpejt për të arritur objektivin e vitit 2040.
"Mungesat e mundshme në një sektor nuk duhet të jenë në kurriz të sektorëve të tjerë", thuhej në draftin e datës 25 tetor.
PA NDRYSHIM NË KUOTËN E KREDITËVE TË KARBONIT
Kompromisi i ri pasqyron kërkesat e bëra nga udhëheqësit e qeverive të BE-së në një samit javën e kaluar, ku ata debatuan "kushtet mundësuese", të nevojshme për të përmbushur objektivat e gjelbra, duke shmangur faturat më të larta të energjisë për qytetarët dhe duke mbështetur bizneset që përballen me importet e lira kineze dhe tarifat amerikane.
Ambasadorët e vendeve të BE-së do të negociojnë propozimin javën e ardhshme, përpara se ministrat e tyre të klimës të përpiqen ta miratojnë objektivin më 4 nëntor.
Projektpropozimi nuk e ndryshoi objektivin e uljes së emetimeve prej 90%, as objektivin prej 3% që mund të arrihet duke blerë kredite karboni të huaja , në vend të përpjekjeve të brendshme - megjithëse vendet ende po debatojnë për këtë. Presidenti francez Emmanuel Macron tha javën e kaluar se kreditë mund të mbulojnë deri në 5%.
Në një përpjekje për të fituar mbështetjen e qeverive skeptike, Komisioni Evropian ka premtuar ndryshime në masat e tjera të gjelbra, duke përfshirë kontrollet e çmimeve në një treg të ardhshëm të karbonit për karburantet e transportit, siç kërkohet nga Polonia dhe Republika Çeke. Brukseli po shqyrton gjithashtu dobësimin e ndalimit të makinave me motor me djegie të brendshme deri në vitin 2035, pas presionit nga Gjermania dhe Italia.
Një zëdhënës i Danimarkës, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së dhe hartoi dokumentin, nuk pranoi të komentojë./ Reuters.