Rivale e Melonit?/ Kepi: Marina Berlusconi, sinjale për t’u bërë pjesë e politikës! Fuqia ekonomike mund ta...

Ndërsa Giorgia Meloni duket e pakundërshtueshme, një sfidë e re mund të vijë nga një tjetër grua e fuqishme: Marina Berlusconi.  E ftuar në emisionin ‘Syri i Botës’ me Dori Dakën në Syri Tv, gazetarja Alba Kepi, shprehet se trashëgimtarja e perandorisë Berlusconi po sinjalizon një hyrje të mundshme në politikë, një lëvizje që shihet si strategjike dhe e motivuar nga interesa të thella financiare dhe mediatike.

Blerja e një grupi të madh mediatik gjerman nga kompania e saj Fininvest, sipas Kepit, kërkon një mbështetje politike në nivel evropian, të cilën ajo duket se nuk e gjen te Meloni.

Por kjo përplasje interesash, thekson ndër të tjera gazetarja Kepi, mund të jetë shtysa kryesore për kandidimin e saj, që përveç kësaj, Marina ka përgjegjësinë për të ruajtur trashëgiminë politike të Forza Italia, e cila rrezikon të zbehet pas vdekjes së liderit të saj historik.

Figura e saj, edhe pse e tërhequr deri më tani, mbart peshën e një emri ikonik dhe një fuqie ekonomike që mund ta transformojë atë në një lojtare kyçe, shton Kepi, duke ndryshuar rrënjësisht balancat e pushtetit në të djathtën italiane.

Është një mundësi konkrete, pasi shpesh herë të gjitha forcat qoftë opozitare, qoftë të koalicionit qeverisës e kanë përmendur, e kanë lakuar emrin e Marina Berluskonit pikërisht për një hap të saj drejt politikës. Por duhet të kuptojmë një gjë. Vetëm pak ditë më parë Marina Berluskoni apo kompania që ajo është presidente, Fininvest, ka bërë një aksion mjaft të fortë, të fuqishëm duke blerë një grup televiziv gjerman më i rëndësishmi.

Dhe kjo e bën që një manovër e tillë financiare, duke pasur dhe kontrollin e një media dhe një grupi televiziv të rëndësishëm në Gjermani, kërkon dhe një reformë europiane që të mbështesë mediat, mediat kundër atyre digjitale që siç thotë ajo në letrën e publikuar pak ditë më parë, janë media, domethënë digjitalizimi po dëmton median tradicionale. Dhe mendoj se kjo manovër e saj financiare kërkon dhe një mbështetje politike.

Ka kuptuar që këtë mbështetje nuk e ka te Giorgia Meloni dhe me shumë gjasa po kërkon të bëjë dhe këtë hap politik të saj. Sa i takon Antonio Tajanit, jam shumë dakord me faktin se Antonio Tajani përtej faktit se është ministër i jashtëm, sa i takon si lider i partisë Forza Italia nuk ka mundur të bëjë apo të ketë karizmën që kishte lideri historik i Forza Italia siç është Silvio Berluskoni.

Dhe pikërisht ndoshta kjo është një tjetër motiv për Marina Berluskonin, që të bëjë këtë më tej, jo vetëm për të drejtuar Forza Italia, dhe pse jo të jetë ajo që të zëvendësojë Giorgia Melonin. Pra e kanë kuptuar që çelësi i suksesit është jo vetëm të kesh dhe të mbash bashkuar forcat opozitare, po ndoshta dhe një figurë e fortë gruaje, siç është Marina Berlusconi. Në profesion edhe ajo juriste.