Kurti prezanton kabinetin qeverisës 'Kurti 3' për të cilin kërkon votën, 1 mld euro investim në mbrojtje

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi para deputetëve kabinetin me të cilën synon të qeverisë edhe për katër vjet dhe për këtë kërkon votën e deputetëve.

 Ai ka thënë se nuk ka arritur koalicione për bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër, por ka kërkuar votën që të qeverisë për të kaluar disa pika, me në krye buxhetin e shtetit

Kabineti qeveritar

Zëvëndëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës - Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë - Donika Gërvalla

Zëvëndëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik - Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë - Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale - Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes - Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme - Xhelal Sveçla

Ministër i Shëndetësisë - Arben Vitija

Ministër i Arsimit dhe Shkencës - Avni Zogjani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit - Avni Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë - Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal - Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - Fitore Pacolii

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit - Dimal Basha

Ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane - Mimoza Kusari

Ministre e Energjisë dhe Minierave - Artane Rivzanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim - Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal - Sejnur Veshaj

Do t'i investojmë 1 milard euro në mbrojtje

Gjatë prezantimit të programit qeverisës, Kurti ka thënë se reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, por ka nisur të bëhet realitet.  Ai tha se ai planifikon të shpenzojë 1 milard euro në mbrojtje gjatë mandatit të tij të ardhshëm, pasi "bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasigurt që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.

Ai shtoi se investimet në mbrojtje do të bëhen përkrah angazhimit në aleancat me SHBA-në, BE-në e NATO-n.

Ai tha se gjatë mandatit të ardhshëm, “do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, do të shtojmë numrin e ushtarëve e oficerëve” si dhe do të bëhet fabrika e municioneve dhe dronëve në Kosovë.

Raportet me Serbinë

Kurti është zotuar se nëse e fiton edhe një mandat të ri në pushtet, ai do t’i qaset dialogut me Serbinë – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – në përputhje me një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit, për të cilën palët janë pajtuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si raport bilateral i jashtëm, e kurrsesi ndërhyrje apo përzierje në çështjet e brendshme”, ka thënë Kurti.