Rusia teston raketën e re bërthamore 'Burevestnik', Putin: E pathyeshme
Rusia ka testuar më 21 tetor një raketë të re lundrimi me shtytje bërthamore dhe me kapacitet bërthamor, të quajtur Burevestnik, ka raportuar një gjeneral rus në një komunikim drejtuar presidentit Vladimir Putin, sipas deklaratave të bëra publike të dielën.
Sipas raportimit, raketa ka përshkuar 14.000 kilometra (8.700 milje) dhe ka qëndruar në fluturim për rreth 15 orë, i ka bërë të ditur Putinit gjenerali Valery Gerasimov, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura ruse.
'Një armë e pathyeshme'
Putin deklaroi se 9M730 Burevestnik (Storm Petrel) e quajtur nga NATO si SSC-X-9 Skyfall është “e pathyeshme” ndaj sistemeve aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes raketore, pasi ka rreze pothuajse të pakufizuar dhe një trajektore fluturimi të paparashikueshme, shkruan Reuters.
Sipas tij, testet vendimtare mbi Burevestnik janë tani të përfunduara dhe duhet të nisë puna për fazën përfundimtare përpara se raketat të vendosen në përdorim operacional.
Putin: Nuk ka të ngjashme në botë
Raketa e lundrimit me shtytje bërthamore Burevestnik “nuk ka të ngjashme në botë”, ka deklaruar Putin gjatë një vizite në qendrën e komandës së grupit të forcave të përbashkëta, sipas agjencisë TASS.
“Kam marrë raportin nga industria dhe vlerësimet e Ministrisë së Mbrojtjes janë përgjithësisht të njohura. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një produkt unik, ndryshe nga çdo tjetër në botë,” tha Putin.
“E kujtoj qartë kur shpallëm se po zhvillonim një armë të tillë. Edhe specialistë shumë të kualifikuar më thanë se, po, ishte një objektiv i vlefshëm dhe ambicioz, por i paarritshëm në të ardhmen e afërt. Kjo ishte opinioni i tyre, e përsëris,” shtoi ai.