Mungesa e trupave të ndërmjetëm
Nga Andi Mustafaj/
Një nga plagët më të rënda të shoqërisë sonë është zhdukja e trupave të ndërmjetëm, organizmave të lirë që në çdo demokraci përfaqësojnë oksigjenin e qytetarit dhe mburojën e tij përballë pushtetit. Regjimi komunist i shkatërroi me qëllim, duke e ditur se vetëm një trup pa sisteme imunitare është i pambrojtur ndaj çdo sëmundjeje.
Regjimi i sotëm e ka trashëguar këtë boshllëk dhe e ka kthyer në një avantazh të vetin: një shoqëri pa mbrojtje, që nuk reagon, që nuk ngrihet më për kauza të përbashkëta.
Pasojat janë dramatike. Shqipëria është sot një vend ku çmimi i naftës është ndër më të lartët në Europë, ndërsa jemi ndër më të varfrit, por rrugët mbeten bosh.
Ku energjia elektrike rritet vazhdimisht dhe qytetarë të pafat arrestohen sepse nuk kanë mundësi të paguajnë, dhe askush nuk del në shesh.
Ku policia bën terror mbi të dobëtit që nxjerrin bukën e gojës, ndërsa përkulet para të fortëve, dhe përsëri, asnjë zë nuk çohet.
Ku korrupsioni gërryen çdo ditë një pjesë tjetër të shtetit, ku bandat lirohen dhe bëjnë ligjin, ku zgjedhjet blihen e vidhen, dhe prapë, asnjë reagim popullor. Është si një trup që infektohet çdo ditë, por sistemi imunitar nuk ekziston më.
Kjo shterpësi e reagimit ka një shpjegim të qartë: në Shqipëri nuk funksionojnë më trupa të ndërmjetëm. Sindikatat janë kthyer në vegla të pushtetit, të paafta për të mbrojtur punëtorët. Organizatat jo-fitimprurëse varen nga fondet publike ose nga donatorë të lidhur me qeverinë, duke u bërë klientë të saj. Shoqëria civile është e paralizuar, e pamundur të vetë-organizohet përballë padrejtësive. Dhe kur këto mbrojtje mungojnë, barra bie mbi opozitën.
Ky është një deformim fatal. Partitë politike, që në çdo vend normal duhet të merren me vizionin, strategjinë dhe betejën për pushtet, në Shqipëri detyrohen të bëhen gjithçka: avokatë të qytetarëve, zëdhënës të çdo padrejtësie, mbrojtës të çdo rasti individual. Opozita del nga roli i saj natyror dhe merr mbi vete funksione që i takojnë shoqërisë.
Rezultati është lodhje, shpërndarje energjish, çorganizim dhe, në fund, perceptimi i padrejtë se opozita është e dobët sepse nuk arrin të fitojë çdo betejë të vogël. Ky perceptim, edhe pse i rremë, ushqen ndjesinë e pathyeshmërisë së pushtetit.
Por kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Regjimi e ka penguar me vetëdije ndërtimin e trupave të ndërmjetëm. Sindikatat janë mbajtur peng përmes udhëheqësve të lidhur me pushtetin. Ligjet për OJF-të janë formuluar shpesh për t’i mbajtur të varura nga burokracia ose për t’i mbyllur nëse bëhen shumë kritike. Financimet publike jepen selektivisht, si shpërblim për bindjen dhe jo si mbështetje për lirinë.
Madje edhe tentativa për vetë-organizim qytetar shtypen me gjoba, me procedura të gjata, me pengesa administrative që vrasin çdo nismë në embrion. Ky është një kontroll i heshtur, por i pamëshirshëm, që synon të garantojë se qytetari shqiptar mbetet gjithmonë i zhveshur, pa asnjë mburojë tjetër përveç partive politike.
Edhe kur ka pasur përpjekje të sinqerta, ato janë lënë të thahen. Greva e minatorëve në Bulqizë, që kërkonin dinjitet dhe siguri në punë, u shua nën indiferencën e pushtetit dhe mungesën e mbështetjes së organizuar. Lëvizja studentore e vitit 2018, që shpërtheu si një zjarr i pastër kundër padrejtësive, u lanë pa asnjë kanal institucional për t’u kthyer në forcë të qëndrueshme. Edhe kur shfaqen, këto nisma vetë-organizimi nuk gjejnë terren për të lulëzuar; ato shihen si “rreziqe” dhe jo si oksigjen i një shoqërie të gjallë.
Krahasimi me vendet e tjera tregon sa thellë jemi të mangët. Në Poloni, sindikata Solidarność nuk ishte thjesht një organizatë punëtorësh, ishte trupi i ndërmjetëm që sfidoi komunizmin dhe ndryshoi fatin e një kombi. Në Itali, sindikatat dhe shoqëria civile kanë rrëzuar qeveri për shkak të aferave korruptive. Në Francë, një reformë pensioni mjafton për të nxjerrë miliona në rrugë. Këta trupa nuk janë të përkryer, por ata ekzistojnë dhe reagojnë. Tek ne, përballë çdo padrejtësie, përgjigja është e njëjtë: asnjë njeri në rrugë.
Në një demokraci të shëndetshme, trupa të tillë ndërmjetës janë si leukocitet që reagojnë menjëherë ndaj çdo infeksioni. Tek ne, ky sistem imunitar është shkatërruar me dashje dhe nuk është rindërtuar kurrë. Kështu, organizmi i quajtur “shoqëri shqiptare” është lënë i pambrojtur, dhe çdo virus i pushtetit hyn e qarkullon lirshëm në gjak, pa hasur rezistencë.
Mungesa e trupave të ndërmjetëm është pra jo thjesht një pasojë, por një shtyllë mbi të cilën mbështetet regjimi. Sepse aty ku shoqëria nuk di të bashkohet për kauza të mëdha, pushteti është i lirë të bëjë gjithçka. Dhe aty ku opozita detyrohet të mbajë mbi supe edhe peshën e shoqërisë, rruga drejt ndryshimit bëhet më e gjatë, më e lodhshme dhe më e pasigurt.