‘Daut Gurra strehoi partizanë që kishin ‘ngrirë’/ Pas ‘44-ës, u persekutua familjarisht me akuza për ‘atentat ndaj Hrushovit’
Nga Ali Buzra/
FAMILJA NACIONALISTE GURRA NË DRAGOSTUNJË I MBIJETOI VUAJTJEVE DHE PERSEKUTIMIT KOMUNIST
Dragostunja është një fshat me shtrirje të konsiderueshme territoriale, që nga qyteti i Librazhdit e, deri në rrëzë të Shebenikut. Tokat e gjëra të punueshme e livadhet janë shfrytëzuar nga banorët vendas, duke u marrë me bujqësi e blegtori. Dragostunja ka malin me të njëjtin emër, ku ata mbarështojnë bagëtinë në muajt e verës. Në vendin e quajtur Val, ndodhen dy liqene të bukur akullnajorë, me një pamje mahnitëse. Një ndër fiset që ka bërë emër në historinë e fshatit Dragostunjë, është ai i Gurrës.
Familja e Et’hem Gurrës së vjetër pati katër djem; Dauti, Selimi, Abazi dhe Shabani. Aty nga fundi i shekullit XIX-të, ata jetonin së bashku dhe kishin një ekonomi të stabilizuar. Mbarështonin mbi 500 kokë bagëti të imta, 15- 16 krerë të trasha, si dhe përdornin 5-6 kafshë ngarkese, kuaj e mushka për transport. Aty nga fundi i shekullit XIX-të, ata nisën të merren edhe me tregti. Dyqanin, e patën vendosur në lagjen e Gurrës, ku ishte edhe shtëpia e tyre. Plaku Et’hem, si edhe djemtë e zhvilluan mirë tregtinë, ku veç mallrave ushqimore, tregtonin edhe stof, basëm e shajak.
Furnizimin e merrnin nga karvanet që vinin nga Ohri e Selaniku. Për këtë Et’hemi i ri, djali i Daut Gurrës, 98 vjeçar, me të cilin kam kontaktuar në vitin 2014, tregon se i mbante mend kur vinin karvanet me mall. “Mushkat e kuajt e tyre, – rrëfen ai, – që kalonin në gjurmët e rrugës së vjetër, ishin me zile dhe i dëgjonim nga larg. Thernim mish e bënim hallvë që të pritnim karvanxhijtë, të cilët ndalonin në shtëpinë tonë, e më pas vazhdonin rrugën për në Elbasan”. Më shumë me tregti merrej Abazi, por edhe vëllezërit e tjerë kontribuonin sipas rastit.
Pas vitit 1900, e deri në Luftën e Parë Botërore, familja Gurra e ndjerë mjaft mirë ekonomikisht, për kohën, shtoi ndjeshëm sipërfaqen e tokës duke blerë. Ndodhte, që persona të veçantë hynin borxh në dyqan, e duke mos qenë në gjendje të shlyenin atë, rregulloheshin me tokë. Duke qenë se u ble mjaft tokë, shpesh përdorej shprehja: “Ju Gurrajt, patët dyqan e bletë gjithë tokën e Dragostunjës”.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur në Shqipëri hynë ushtritë e shteteve pushtuese, furnizimi u bë i vështirë e tregtia ra. Në Dragostunjë pati edhe qëndresë të armatosur ndaj forcave serbe e bullgare. Në këto rrethana, ku Gurrajt ishin pjesë e rëndësishme e qëndresës së armatosur, ushtritë e huaja ua dogjën shtëpinë edhe dyqanin. Pas lufte, vëllezërit u ndanë dy e nga dy, e më pas veç e veç, duke u marrë kryesisht me bujqësi e blegtori. Nëpërmjet punës, duke shtuar prodhimet, sidomos ato blegtorale që i çonin në treg, familjet e tyre ishin mirë ekonomikisht.
10.1 Daut Gurra, atdhetar e nacionalist patriot
Figura më e spikatur e familjes, që bëri emër jo vetëm në fshat por edhe në zonë e më gjerë, ishte Daut Gurra, i cili ka lindur në vitin 1880. Në moshë të re, që fëmijë, ai u shkollua në Ohër, ku mori arsim fetar. Më pas ai ka vazhduar mësimet edhe në Manastir, ku duke rënë në kontakt me figura të Rilindjes, ai mëson edhe shqip. Në Ohër e Manastir, thuhet se ka studiuar tetë vjet. Më pas shkollohet në Stamboll, ku ka ndenjur deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë, në 1912-ën. Nga informacioni që është marrë prej të afërmve të tij, rezulton se ai ka kryer rreth 20 vjet shkollim, kryesisht fetar. Daut Gurra, zotëronte gjuhën turke dhe atë arabe. Ai ishte ndër të rrallët për kohën në zonën e Librazhdit, përjashtuar Bërzeshtën, që lexonte dhe shkruante në gjuhën shqipe.
Dy nipat tij, Bexhet dhe Ismet Gurra, tregojnë se ai, kur i mësonte për imam, u shpjegonte alfabetin arab, duke u treguar se si ishte shkronja në shqip. Aty rreth vitit 1911, Dauti kthehet përfundimisht në fshatin e tij, Dragostunjë. Ashtu si edhe shumë atdhetarë të tjerë, ai e priti me kënaqësi Shpalljen e Pavarësisë. E themi këtë, për faktin se në atë kohë, kishte edhe personalitete, që duke jetuar e punuar për një kohë të gjatë në Stamboll, si dhe duke parë rrethanat e pafavorshme politike të kohës, e shihnin me rezerva shkëputjen nga Perandoria Osmane.
Edhe pas Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, shovinistët fqinjë mësyjnë në tokat shqiptare. Serbia sulmoi e pushtoi Kosovën e viset veri-lindore të vendit, Greqia pushtoi viset jugore, ndërsa Mali i zi mbante të rrethuar Shkodrën. Popullsia e zonave të pushtuara, filloi rezistencën e armatosur ndaj pushtuesve të huaj. Shteti i brishtë shqiptar e shtrinte autoritetin e tij vetëm në vijën Vlorë- Lushnjë-Elbasan. Situata e jashtme politike ishte tepër e tensionuar. Këtë e rëndonte edhe pozicionimi i Esat Pashë Toptanit, i cili u largua nga Qeveria e Vlorës, duke krijuar të ashtuquajturën “Pleqësi e Shqipërisë së Mesme”, paralel me Qeverinë e Vlorës.
Ndërkohë, qindra vullnetarë, veçanërisht nga Shqipëria e mesme u nisën drejt Shkodrës, në ndihmë të forcave që luftonin kundër ushtrive malazeze. Mes tyre ishte edhe Daut Gurra, 33 vjeçar, i cili bëhet drejtues i një njësiti të Taborit të Librazhdit, duke hyrë në luftime të ashpra me forcat malazeze. Gjatë luftimeve, Dauti, plagoset nga një predhë murtaje. Për këtë tregohet edhe një episode, paksa me nota humori. Në Luftën e Shkodrës, ishte edhe një egjiptian nga Dragostunja, me sa thonë quhej Ahmet Kurti, ose “usta Ahmeti”, që ishte rreshtuar në luftë bashkë vullnetarët e tjerë nga Librazhdi. Ky i fundit kryente transport me mushka, duke dërguar për ushtrinë municion e ushqime.
Një ditë, ai sheh Dautin, që po e lëviznin me barelë për ta çuar për mjekim. Duke parë tmerret e luftës, si dhe pasigurinë për t’u rikthyer përsëri në shtëpi, ai i drejtohet Dautit: “Amanet fëmijët e mi, o Daut’ A”! (Daut Aga). Mirëpo, Dauti, që e mbanin në barelë, i përgjigjet duke qeshur: “Kush është për të lënë fëmijët amanet, unë në tabut, apo ti në këmbë”? Për fatin e mirë, që të dy u kthyen pas lufte pranë familjeve të tyre. Nga dëshmitë e të moshuarve rezulton se Daut Gurra, pas kthimit nga Lufta e Shkodrës, ka qenë në krye të qëndresës kundër forcave serbe e bullgare, gjatë Luftës së Parë Botërore. Këtë e dëshmon edhe djegia e shtëpive të tij nga këta të fundit.
Daut Gurra njihet si një ndër dijetarët më me zë të kohës për zonën e Librazhdit. Në kohën e Zogut kandidon për deputet dhe merr mjaft vota, por me marrëveshje, ia jep ato Selaudin Blloshmit. Për këtë, Dauti i thotë Selaudinit: -“Kjo është punë më shumë për ty, se sa për mua…”! Selaudini, ishte i shkolluar, ai kishte kryer akademi ushtarake, ndërkohë Dauti, ishte baxhanak me Hajdar Blloshmin, e Selaudinin e kishte nipin e gruas. Nuk janë ta qarta arsyet, por në rrethana të caktuara, ai ka qenë edhe kundërshtar i Zogut, ku siç duket, ai ishte i pozicionuar me beun elbasanas, Shefqet Vërlacin. Për këtë, të afërmit rrëfejnë se Zogu, i propozon ta gradojë, por ai nuk ka pranuar.
Nuk është e qartë plotësisht koha, por për të është nxjerrë edhe një urdhër arresti, ndërsa ai nuk dorëzohet. Djali i tij, Et’hemi, në takimin që kam patur me të, më ka rrëfyer se Dauti ka dalë firar (në arrati), në kohën e Fan Nolit. Rrethohet nga forca të xhandarmërisë, ndërsa ai del nga rrethimi në lagjen “Mërqizë” të Dragostunjës, duke u veshur si grua. Në arrati, rrëfen Et’hemi, e ka mbajtur me ushqime Azis Hysa, nga Librashd-Katundi. Kjo ngjarje nuk kaloi pa pasoja. Atij, i konfiskojnë pasurinë, duke i marrë 40 qengja dhe një mushkë. Këto janë fakte, që dëshmojnë se Daut Gurra shpesh vihej në opozicion me qeveritë e kohës.
Kështu, në një takim me beun elbasanas, Shefqet Vërlaci, siç duket, kur ky i fundit ishte kryeministër, Dauti nuk futet i pari në zyrën e tij, por vë përpara një tjetër. Në fakt Beu, i drejtohet Dautit duke i thënë: “Ç’kemi andej, o Daut”? – “E ç’të kemi!, – i përgjigjet ai, – barrën e mushkës ia kanë vënë gomarit”. – “Po gomari ç’thotë”?, -vazhdon duke qeshur beu. – – “Ç’të thotë!, ose fuqi, ose ndonjë bumje në kry”! Ishte fjala për barrën e taksave ndaj fshatarësisë. Falë autoritetit që gëzonte, si dhe dijeve që kishte, për disa kohë Dauti ka qenë emëruar kryetar komune në Librazhd me sekretar, Petrit Hakanin, me të cilin ka punuar në një zyrë.
Dauti, ishte njeri i thjeshtë dhe familjar i përsosur. Kur vëllezërit ishin pa u ndarë, ai nuk drejtonte vetë familjen, por “të parë shtëpie” linte të vëllanë, Abazin. Vetë lëvizte me mushkën e tij, e shpesh vizitonte miqtë e shumtë dhe të afërmit. Gjithsesi, familja e vëllezërve Gurra, në kohën e Zogut mbahej mirë ekonomikisht. Ata mbarë-shtronin mbi 400 kokë bagëti të imta, mbi 10 krerë lopë, kafshë ngarkese për transport etj., duke dalë në treg me prodhime të bulmetit e gjë të gjallë.
10.2 Daut Gurra vihet në krye të çetës së Ballit Kombëtar për Dragostunjën
Pushtimi fashist i vendit, ashtu si edhe për shumë figura të shquara nacionaliste të Librazhdit, u prit me indinjatë të thellë edhe nga Daut Gurra. Në bisedat nëpër “mexhlise”, ku të gjithë të pranishmit ndiqnin me vëmendje fjalën e tij, ai shprehej se Zogu, vërtet, u pre në besë nga Italia, por ai duhet të ishte treguar më i kujdesshëm në marrëdhëniet me Italinë. Ata që e kanë njohur tregojnë se Dauti ishte komunikues dhe i matur në biseda. Por, megjithëse qëndronte më lart se të tjerët në nivele njohje, për situatën politike të kohës, kur e pyetnin, nuk përbuzte, nuk fyente, por e merrte fjalën, duke dhënë përgjigje të thjeshta, sipas nivelit të bashkëkohësve të vet.
Disa muaj pas pushtimit Italian, që tashmë ishte bërë fakt i kryer, Dauti u caktua komandant poste në Librazhd. Këtë gjë, ia kërkoi me ngulm paria e fshatit të tij. Thuhet, se burrat më me zë në Dragostunjë, si; Mahmut Kaca, Ali Qosja etj., i kërkojnë të marrë këtë detyrë për të siguruar e ndihmuar fshatin. “Një do të bëhet, – shpreheshin ata, – më mirë të jetë Dauti ynë”. Mbas pushtimit gjerman, përsëri paria e fshatit i kërkon të mos e prishë me gjermanin, sepse fshati që është në anë të rrugës automobilistike dhe në afërsi të Librazhdit, mund të digjet.
“Mirë e thoni ju, – u thotë ai bashkëfshatarëve, – por ta dini se shtëpinë time, do ta djegin partizanët”. – “Një shtëpi e bën katundi”, – i përgjigjen ata. Megjithëse, në atë kohë, flitej për të keqen e komunizmit, por nuk mendohej se pas lufte në Shqipëri do të vendosej një qeveri, e cila duke u sulur me gjithë egërsinë e saj, mbi familjet kundërshtare të regjimit, nuk do të kursente as fëmijë, gra e pleq. Kështu që, nuk mund të bëhej fjalë për të ndihmuar këto familje në ndërtimin e shtëpive të tyre të djegura, por do të ndiqeshin edhe ata që mbanin marrëdhënie me ta.
Ashtu si edhe në fshatrat e tjerë përreth, edhe në Dragostunjë u ngrit çeta e Ballit Kombëtar, në krye të së cilës u vu Daut Gurra. Dauti kishte njohje e miq të shumtë kudo. Autoriteti dhe besueshmëria që ai gëzonte në zonë e më gjerë, dihej edhe nga përfaqësuesit e Frontit Nacional-Çlirimtar. Duke patur parasysh këtë fakt, në shtëpinë e tij vjen i dërguari i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Qarkorit të Partisë për Elbasanin, Sami Baholli, i cili qëndron aty dy ditë. Ai i kërkon Dautit, të bashkohet me Frontin e partizanët. Për këtë djali i tij Et’hemi, mes të tjerash thotë se; babai i tij i përgjigjet Samiut: “Ne nuk na lejon kurani të bëhemi me ju. Ju jeni me bolshevizmin, që nuk njeh pronë e fe. Ju do t’i prishni xhamiat, se jeni të lidh me rusin. Keq më vjen, se ju kam mik, por me ju nuk mund të vij”.
Vite më vonë, Sami Baholli është shprehur se Daut Gurra është diplomat i zoti. Në pranverë të vitit 1944, njësi të ushtrisë partizane, godasin forcat gjermane në rrugën Librazhd- Korçë. Përplasjet u zhvilluan te vendi i quajtur, “Arrat e Gurrës” deri në Hotolisht. Kundërpërgjigja e gjermanëve, në rast se sulmoheshin, dihej. Ata digjnin aty qendrat e banuara. Për rastin në fjalë, komanda gjermane vendos të djegë fshatrat; Dragostunjë, Spathar e Hotolisht. Dauti, duke qenë në dijeni për këtë, dërgon të vëllanë Selimin, bashkë me djalin e tij Xhemalin, te gjermanët. Ata marrin kontakt me komandën gjermane, ku i thonë se jemi të dërguar nga Daut Gurra, dhe se Dragostunja e fshatrat e tjerë, nuk kanë dorë në këtë luftë.
Komandanti gjerman u vendos atyre rripa oficerësh, që të mos cenoheshin. Të dy burrat ecin bashkë me autokolonën gjermane deri në Qukës. Kështu me ndërmjetësimin e Daut Gurrës, nuk u dogjën fshatrat e Librazhdit, në anën e rrugës automobilistike, duke dalë garant te gjermanët. Në këndvështrimin radikal majtist, komunikimi me gjermanët, shihet thjesht si “bashkëpunëtor i tyre”, apo si “tradhtar e armik i kombit”. Fakti është ndryshe. Daut Gurra, nuk ishte tradhtar, përkundrazi, ai e donte shumë atdheun, rrethin, fshatin dhe familjen e tij. Bashkëpunimi i tij, dhe jo vetëm i tij, por edhe i shumë nacionalistëve të tjerë me gjermanët, nuk ka shkuar asnjëherë kundër interesave kombëtare. Me këtë nuk dua të them se në Shqipëri nuk ka patur elementë të shitur te gjermanët, që kanë vepruar kundër interesave të popullsisë.
Elementë të tillë kanë qenë njerëz të rëndomtë, spiunë të shitur, por jo nga krerët nacionalistë. Në rastin konkret dua të them, se asnjë nga krerët nacionalistë të zonave për të cilat shkruaj, nuk kanë vepruar kundër interesave kombëtare. Gjatë periudhës gjermane, nuk ka asnjë fakt, që të dëshmojë, se Dauti u ka shërbyer atyre, në dëm të interesave të vendit. Asnjë person i lidhur me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, nuk është ndjekur apo vrarë nga gjermanët, në dijeninë e Daut Gurrës, përkundrazi, ai ka ndikuar të shpëtojë njerëz e fshatra nga vrasjet e djegia. Gjatë lëvizjes së forcave gjermane nga Librazhdi drejt Qukësit, mund të ishin djegur e shkatërruar fshatrat buzë rrugës automobilistike. Po, sa njerëz të pafajshëm mund të ishin vrarë? Cili do të qe bilanci?
Jo vetëm për qëndrimin e Daut Gurrës, por edhe të shumë nacionalistëve të tjerë në periudhën e luftës, më duhet të komentoj disa biseda, me bashkëkombësit tanë nga Kosova të përvuajtur ndër shekuj. Personalisht kam patur rastin të bisedoj me shumë kosovarë, të cilët qëllimisht i kam pyetur, mbi qëndrimin që ndajnë për Ibrahim Rugovën. Të gjithë shprehen qartë e të vendosur për të, duke thënë: “Ibrahim Rugova, nuk lind më në Kosovë”! – “Po, ai nuk ishte për luftë të armatosur kundër serbëve, ndërkohë që Kosova ishte e pushtuar nga ata”! – u kam thënë gjatë bisedës. – Ne e kemi provuar edhe luftën, e dimë atë, por besnikëria e Ibrahim Rugovës, ndaj kombit dhe Kosovës, i tejkalon përmasat edhe të drejtuesve të UÇK-së. “Kur Ibrahim Rugovës i është kërkuar nga krahu radikal që veç të japë kushtrimin për luftë, – shpreheshin ata, – ai është përgjigjur: Nuk e dua Kosovën, pa kosovarë”.
Ndoshta, nuk është rasti tamam për të paralelizuar, por gjithsesi, nuk kemi të drejtë të akuzojmë as edhe një nga krerët e Ballit të zonave për të cilat kam shkruar në këtë libër, për tradhti. E them këtë mbasi, po të jetë për të analizuar tradhtinë dhe besnikërinë ndaj popullit, apo çështjes kombëtare, ajo duhet parë në mënyrë më komplekse. Duhen analizuar ngjarjet, jo vetëm në anën e Ballit, por edhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë, dhe veçanërisht ndikimin e Dushan Mugoshës dhe të emisarëve të tjerë jugosllavë, që ishin jo vetëm bashkëpunëtorët, por edhe drejtuesit e PKSH-së, në përplasjet civile në Shqipëri, në eliminimin e mjaft prej figurave të rëndësishme të luftës edhe brenda Frontit.
Në momentet e kalimit të Brigadës së Parë Sulmuese, Daut Gurra i mban gjermanët në Dragostunjë, deri sa kalojnë partizanët në drejtim të Qarrishtës. Për këtë kanë folur të moshuarit Dragostunjas, të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes. Ata kanë rrëfyer se Dauti, jep porosi që çdo familje të gatuajë e t’u jepet bukë partizanëve. Ndërkohë, ai dërgon njerëz të kontaktojnë me Komandantin e Brigadës, të cilët i përcjellin atij, fjalët e Dautit, që; “mëngjesi të mos i zërë aty”, mbasi rrezikohen nga forcat gjermane. Megjithëse, në vitin 1944, konfliktualiteti i hapur mes Frontit dhe Ballit Kombëtar, ishte evident, Daut Gurra, me detyrën komandantit të Ballit Kombëtar për Dragostunjën, jo vetëm nuk hyn në konflikt të armatosur me ta, por duke shfaqur karakterin e tij të fisshëm e burrëror, shpëton jetë partizanësh.
Një fakt i jetuar, dhe që dihet në Dragostunjë, është ai i dimrit të vitit 1944. Aty nga fundi i muajit janar, apo mundet fillimi i shkurtit 1944, shtatë partizanë të lodhur, të pangrënë e të ngrirë nga të ftohtit, kalojnë nëpër Dragostunjë. Ata gjenden mbas dite vonë, në rrugë, nga një banor i fshatit Dragostunjë, në gjendje krejt të rraskapitur. Atë natë i merr Sali Balliu në shtëpinë e tij, i cili u shërben me sa mundi. Për gjendjen e tyre u njoftua Dauti, i cili të nesërmen dërgon vëllanë e tij Shabanin, që t’i marrë ata. Partizanët qëndruan në shtëpinë e Gurrës, për 11 ditë, duke u shërbyer deri sa shëndeti i tyre u përmirësua.
Që të mos bien në duar të gjermanëve, djali i Dautit, Ahmeti, së bashku me një tjetër, i shoqëron ata deri në Hotolisht, ku i dorëzojnë te Sehit Alliu, i cili ishte kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit. Ky i fundit, i përcjell për në Bërzeshtë. Partizanët ishin nga Opari i Korçës. Pas çlirimit të vendit, pesë prej tyre vijnë në gjyqin e Dautit, duke dëshmuar se ai u ka shpëtuar jetën. Pavarësisht pozicionimit të tij, jo me Frontin, por me Ballin Kombëtar, për arsyet që i trajtuam më lart, aktiviteti dhe veprimtaria e Daut Gurrës, ishte në interes dhe në favor të fshatit Dragostunjë e, të fshatrave të tjerë fqinjë.
Shembujt e mësipërm, si edhe shumë të tjerë që nuk mundëm t’i përmendim në këtë libër, por që shpresoj të përfshihen më vonë në një monografi për të, japin panoramën e saktë, mbi figurën e Daut Gurrës, si një atdhetar e nacionalist patriot. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, që nga koha e sundimit turk, para e pas Shpalljes së Pavarësisë, gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Dauti, ka punuar, luftuar e kontribuar, në interes të çështjes kombëtare. Qëndrimi i tij anti-sllav e antikomunist, gjatë periudhës së luftës së fundit, dhe mosangazhimi në luftë kundër gjermanëve, nuk mund të zbehin aspak, figurën e tij prej luftëtari dhe aspiruesi të interesave të kombit.
10.3 Pas disa muaj arratisje, vëllezërit Gurra vendosin të dorëzohen
Në fund të vitit 1944, me fitoren e Partisë Komuniste në Shqipëri, Daut Gurra, fillimisht nuk dorëzohet. Partizanët vijnë në fshat dhe djegin shtëpinë e Dautit e të vëllait të tij Selimit, duke i nxjerrë familjarët jashtë në mes të dimrit. Dauti largohet, duke u vendosur në një çadër në mal të Dragostunjës. Ishte vetë i nëntë. Dauti me pesë djemtë e vet dhe Selimi me dy djemtë e tij. Familjarët e tij në fshat, të mbetur jashtë, u strehuan te familjet e fisit Bici, në Dragostunjë. Zeq Bici, strehoi familjen e Dautit, ndërsa Mahmut Bici, strehoi atë të Selimit. Pas djegies së shtëpive, një presion i fortë bëhet në fshat, për të mësuar për vendndodhjen e të arratisurve. Nën tortura u vu Mahmut Çela, që kishte stan në mal dhe që mendohej se kishte dijeni për vend-ndodhjen e Gurrajve.
Me gjithë torturat nga më të rënda ai nuk hapi gojë për ta. Midis tyre thërritet edhe egjiptiani i fshatit, i cili e kishte shtëpinë afër tyre. Me gjithë presionin e ushtruar ndaj tij, edhe ky nuk u vu në shërbim të forcave të Sigurimit të Shtetit. Në kushtet e një dimri të acartë të vitit 1945, të vështirësive për furnizim me ushqime, si dhe të ndjekjeve të vazhdueshme nga forcat e Ushtrisë, grupi i të arratisurve ndahet në dy pjesë. Në grupin e parë me Dautin, qëndruan: djemtë e tij, Xhemali me Hamdiun, si edhe djali i Selimit, Ganiu. Në grupin e dytë me Selimin, ishin: Sehiti, djali i Selimit, si edhe Estrefi, Ethemi, e Ahmeti, që ishin djemtë e Dautit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, me gjithë vështirësitë që ishin krijuar nga shteti për ndjekjen e tyre, gjatë muajve të arratisë ata u furnizuan me ushqime nga të afërmit dhe miqtë e tyre, nga Dragostunja e Librashd- Katundi.
Dauti i jep porosi vëllait të tij Selimit, që në asnjë rrethanë të mos dorëzohej, sepse këtë do ta bënin mbasi të vendosej sistemi i rregullt gjyqësor. Ai nuk ndihej i sigurt për t’u dorëzuar, në rrethanat kur gjendja në vend ishte kaotike. Dhe në të vërtetë, në fund të vitit 1944 e, në fillimet e vitit 1945, nga komandat e ushtrisë partizane, janë pushkatuar shumë persona pa gjyq. Nga ana tjetër, duke qenë të ndërgjegjshëm për faktin, se nuk qenë përzier në akte kriminale, shpresonte që gjykata nuk mund të dënonte atë dhe familjarët e tij. Në pranverën e vitit 1945, arrestohet vëllai i Dautit, Shabani, i cili nuk ndodhej në arrati, si edhe e shoqja e Dautit. Që të dy i torturojnë keqas, duke i rrahur gjatë gjithë natës. Shabanin e kalojnë në një birucë, ku i lëshojnë ujin. Për këtë ai dëshmon se, në birucën e larë në gjak, ka gjetur brezin dhe vargun e sahatit të Latif Mustës nga Borova.
Torturat ndaj personave të arrestuar, që mendohej se kishin dijeni për vend-ndodhjen e të arratisurve ishin nga me çnjerëzoret. Në këto rrethana, kur i vëllai dhe e shoqja ndodheshin në burg, Dauti vendos të dorëzohet bashkë me Selimin. Ata dorëzohen në besë te Miftar Hoxha në Mirakë, të cilin Dauti e kishte mik. Në dëshmitë e tyre, thuhet se ata i merr në dorëzim një komandant partizan, i quajtur Nas Vithkuqi, një burrë serioz dhe i besës. Në kontaktin e parë me Dautin, ai krijon përshtypje pozitive dhe i pëlqen karakteri i tij dinjitoz e burrëror. Në prani të të zotit të shtëpisë, ai i drejtohet Dautit me këto fjalë: “Në qoftë se keni vrarë, po ju lëshoj. Për 24 orë nuk ju ndjek. Pas 24 orësh, po të kapa do të vras”. – “Jo, – i përgjigjet Dauti, – ne, as kemi vrarë, e as kemi asistuar në ndonjë vrasje”. Dautin dhe Selimin, i mbajnë nëntë muaj në hetuesi, duke i shtrënguar të pranojnë fajësinë, si dhe të japin informacion për grupe të tjera të të arratisurish. Më pas i nxjerrin në gjyq.
Në gjyqin e organizuar, të pranishmet befasohen me përgjigjet e tij prej oratori të vërtetë. Kryetari i trupit gjykues, nuk e jep veten, por ndihet inferior ndaj personalitetit të tij. Në gjyq, me interesimin e familjarëve të tij, vijnë të dëshmojnë të pesë partizanët nga Opari, të cilët deklaruan se Daut Gurra u ka shpëtuar jetën. Këtë e dëshmoi edhe Sehit Alliu nga Hotolishti. Ky i fundit u kërcënua nga prokurori, se po flet në favor të të pandehurit. Thuhet, se në favor të Dautit, dëshmon edhe Xhelo Leka, në atë kohë drejtues i Nënprefekturës Librazhd. Megjithatë gjykata e dënon Dautin me 5 vjet burg, ndërsa Selimin me 3 vjet. Mbasi u dorëzuan të dy grupet, dy djemtë e Dautit, Ahmetin dhe Estrefin, si dhe dy djemtë e Selimit, Ganiun e Sehitin, i mobilizuan ushtarë. Atje, Ganiun e zhdukën pa nam e pa nishan.
Nga dëshmitë e shokëve të tij të ushtrisë, është thënë se Ganiu ishte në darkë kur u bë apeli, ndërsa në mëngjes, jo. U përhap lajmi se ka vdekur. Me të marrë njoftimin, mbas dy javësh, atje shkon Shabani, për të marrë trupin, por nuk ia japin. Gjithsesi, zhdukja e tij e mistershme nga shteti komunist, mbetet enigmë. Në vitin 1950, familjet e Dautit, Selimit dhe Shabanit u shpallën kulakë. Shteti komunist, që në fillimet e tij, përpiqej për t’i vënë të ashtuquajturit të deklasuar kundër njëri- tjetrit. Shabanit, iu kërkua të ndahej me Selimin, si dhe të ndërpriste marrëdhëniet me dy vëllezërit, që t’i hiqej titulli kulak, por ai nuk pranoi.
Dauti, bëri 3 vjet burg dhe u lirua. Burri i dëgjuar, i matur dhe i mençur i familjes fisnike të Gurrës, pothuaj nuk del më nga shtëpia. Nuk donte “të bezdiste” miqtë dhe të afërmit. Ai nuk shkonte më as te vajzat e veta. Në shtëpi, i vinin edhe provokatorë të dërguar nga Sigurimi i Shtetit, njerëz të rëndomtë e servilë, që përpiqeshin ta ngatërronin. Nuk e kuptonin të mjerët, se te cili drejtoheshin për ta provokuar. Sot, familjarët e tij rrëfejnë, se si “ua mbathte patkonjtë” ai, sapo ata nisnin bisedën, duke u larguar si qeni me bisht ndër shalë.
Kështu edhe pas daljes nga burgu, regjimi i kohës, u përpoq të denigronte figurën e tij, por nuk mundi. Janë të shumtë edhe sot, banorë të Dragostunjës, jo vetëm të moshuar, por edhe të rinj në moshë, që flasin me respekt e konsideratë të lartë për figurën e tij. Në një takim të rastësishëm, me mësuesin e nderuar të matematikës nga Dragostunja, Reshit Bajramin, e pyes: – “Ç’mund të më thuash për Daut Gurrën”? – “Dauti, – u përgjigj ai, e ka mbajtur dhe e ka mbrojtur fshatin. Ai ishte burrë i ditur, besnik dhe patriot”. Së fundmi, në këndvështrimin historik të ngjarjeve, Daut Gurra, është e do të mbetet simbol, jo vetëm për Dragostunjën, por edhe më gjerë. Ai ndërroi jetë në vitin 1966. Meritonte të varrosej me nderim e respekt, nga e gjithë zona ku banonte, por fatkeqësisht, në kushtet e survejimit e të përndjekjeve, varrimi bëhet kryesisht, vetëm me të afërmit.
Mbas ngritjes së kooperativës së parë, në vitin 1947, në Krutje të Lushnjes, vazhdon ky proces në shkallë vendi, kryesisht në zonat fushore. Taksat e vëna ndaj fshatarësisë, në fillimet e regjimit komunist, në përgjithësi ishin të larta. Kjo, me synimin, që të pranonin futjen në kooperativë. Ndërsa, ndaj familjeve kulake, vinte fletë tatimore e veçantë. Tatimi për këto familje ishte i papërballueshëm, duke i kaluar disa herë të ardhurat, që mund të siguronin me tokën e bagëtitë që ata dispononin. Kjo, nuk bëhej me synimin për t’i futur në kooperativë, sepse ata hë për hë, gjoja nuk e kishin këtë të drejtë. Synimi ishte që t’i shtrëngonin ekonomikisht për t’i shkatërruar, e për t’i detyruar të reagojnë, me qëllim burgosjen e internimin e tyre.
Djali i Dautit, Et’hemi, tregonte, se tatimet në prodhime bujqësore dhe blegtorale, ishin aq të larta, sa ata ishin të detyruar t’i blinin ato, për t’i dorëzuar në shtet, ndërsa në shtëpi s’kishin bukë për të ngrënë. Përndjekja dhe keqtrajtimi ndaj familjes Gurra, do të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist. Në vitin 1959, arrestohen dy djemtë e Dautit, Ahmeti me Estrefin, me pretendimin absurd, se; “kishin planifikuar të vritnin Hrushovin”. Në gjyqin e inskenuar dhe me dyer të mbyllura, dënohen me nga 4 vjet secili. Ata apeluan, por fillimisht nuk u mor parasysh. Megjithatë, në vitin 1961, Estrefi mori pafajësinë dhe u lirua.
E lirojnë edhe Ahmetin, i cili vjen deri në Librazhd, por e arrestojnë pa mbërritur në shtëpi, duke e konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë. Thuhet, se spiunoi një bashkëfshatar i tij, që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. E nxjerrin përsëri në gjyq. Akuzohej se do të arratisej së bashku me Veli Biçakun dhe Ferit Doskun. Për të zhvillohen tri seanca gjyqësore, por për mungesë faktesh, nuk dënohet. Megjithatë, nuk e lënë të shkojë pranë familjes, por e internojnë në Rrëshen. Për afro një vit, nuk dihej se ku ndodhet. Pyetnin të afërmit në Degën e Punëve të Brendshme, por nuk jepej asnjë adresë.
10.4 Vazhdojnë arrestimet dhe persekutimi ndaj familjarëve të Gurrës
Kalvari i vuajtjeve dhe i arrestimeve për këtë familje nuk ka mbaruar. Po në vitin 1961, arrestojnë vëllanë e Dautit, Selimin, në një kohë me Mefail Biçakun nga Qarrishta, ish strehuesi i hebrenjve në vitet e luftës. Selimi e kishte krushk Mefailin. Ai kishte marrë vajzën e Mefailit, për djalin e tij, Sehitin. Ndërkohë, pas disa ditësh arrestohet përsëri Ahmeti, i cili qe internuar në Rrëshen. Mbas disa muajve në hetuesi nën tortura, xhaxha e nip nxirren në gjyq. Akuzohen për tentativë arratisje. Me dëshmitarë të rremë e pa fakte, dënohen; Selimi me 15 vjet burg, Ahmeti me 14 vjet, ndërsa Mefaili Biçaku lirohet, duke u kthyer i sëmurë në shtëpi. Selimi, që tashmë ishte i moshuar, gjatë viteve të burgut, qëndron shumë kohë në sanatoriume.
Familja dhe të afërmit, veçanërisht i vëllai, Shabani, bëjnë shumë kujdes për të. Ky i fundit, shkon disa herë në Burrel, ku vuante dënimin i vëllai. Pasi bëri 14 vite burg, Selimi kthehet në shtëpi, i sëmurë rëndë, e pas një viti ndërroi jetë. Ahmeti, ndërroi jetë në burgun e Tiranës, në rrethana misterioze. Trupin e tij nuk ia dhanë familjes. Pas vitit 1990, me interesimin e familjarëve, u bë e mundur të gjenin e t’i merrnin kockat, duke i bërë rivarrimin me nderimin e respektin që meritonte. Me gjithë vështirësitë dhe peripecitë që kalonin, vëllezërit Gurra, sa ishin gjallë, u përpoqën dhe sistemuan në familje djemtë dhe vajzat e tyre. Kështu Dauti, mori për Xhemalin një vajzë në familjen Blloshmi, për Et’hemin, të bijën e Qamil Balliut, për Hamdiun, te Çela, për Ahmetin, te Bici, ndërsa Estrefi, nuk u martua.
Selimi, për Sehitin, mori të bijën e Mefail Biçakut, për Ruzhdiun, te fisi Dervishi në Martanesh (familje kulake), për Selaudinin, të bijën e Jakup Cekanit, kulak nga Gurshpata, për Feritin në Martanesh, që ishte kushërira e parë e të shoqes së Selaudinit, ndërsa Ganiu nuk qe i martuar. Nën presion të vazhdueshëm, të diferencuar, e me ngarkesa të larta tatimore, kulakët vazhdonin të qëndronin individë në kushte të vështira ekonomike. Në kooperativë i pranuan në vitin 1966, një vit para përfundimit të kolektivizimit të bujqësisë në shkallë vendi. Fillimisht u krijua një brigadë vetëm me kulakët. Disa muaj më vonë, i bashkuan në brigadë me fshatin. Edhe në kooperativë, diferencimi për kulakët ishte i dukshëm.
Për këtë, djali i Ethemit, Bexheti, shprehet: “Vdekje për së gjalli ishte, kur bëhej mbledhja e popullit, ndërsa ne na lexonin emrat që të largoheshim”. Ky i fundit jep një detaj të dëgjuar nga të afërmit e tij, nga mbledhja e popullit në Polis-Vilan. Një i deleguar i Partisë nga rrethi, shkon në Vilan, ku shumica ishin kulakë. Aty në brigadë, u thotë të pranishmëve, se nuk po ecin mirë punët, mbasi aty kishte shumë kulakë. Një vajzë e fisit Muzhaqi, pa iu trembur syri, i drejtohet të deleguarit të partisë duke i thënë: “Desha t’ju pyes, çfarë do të thotë fjala, kulak”? – “Familje e pasur.., me hyzmeqar…, shfrytëzues…”, – i përgjigjet ai me ashpërsi. – “Ahaa! Unë kujtova se do të thotë jevg”, – ia kthen ajo me qetësi. Kështu largohet nga Vilani, i deleguari i partisë, i inatosur nga sfida që i bën vajza e Muzhaqëve.
Siç e kemi thënë edhe më lart, martesat, shumica e familjeve kulake, i bënin duke marrë te njëri-tjetri, në fshatra të ndryshme, por ka ndodhur që të rinjtë dashuroheshin edhe me djem e vajza jo kulake. Ky ishte një problem i madh në atë kohë. Mund të jenë të shumtë ata që e kanë ndrydhur dashurinë e tyre, mbasi martesa bëhej e pamundur në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm shtetëror e shoqëror. Një rast i tillë, ndodh edhe në Dragostunjë. Xhevit Gurra, nipi i Dautit, dashurohet dhe merr për grua vajzën e Veli Bajramit. Menjëherë mblidhet organizata e rinisë në fshat dhe i bëjnë presion vajzës, që të prishë martesën. Çështja shkon deri në Komitetin e Partisë e, në prokurorinë e rrethit. I bëhet presion edhe djalit, por dy të rinjtë nuk pranojnë që të ndahen.
Mentaliteti komunist ishte evident, por edhe absurd. Në fshat, vjen një përfaqësues nga Komiteti i Partisë, si edhe prokurori i rrethit. Zhvillohet përsëri mbledhja e organizatës së rinisë në fshat. Mbeten në kujtesën e të rinjve, fjalët e prokurorit, përfaqësuesit të ligjit, i cili i drejtohet djalit të Gurrës me fjalët: “More djalosh, pse u bini më qafë të tjerëve, merrni nga dora juaj”! Përfaqësuesi i ligjit, nuk kishte ndryshim nga përfaqësuesi i Partisë. Ai e trajtonte problemin me ideologjinë e kohës, megjithëse në ligj, nuk thuhej që të mos bëheshin martesa nga familje me përbërje klasore të ndryshme. Duke e përmendur rastin në fjalë, nuk mund të fajësohet asnjëra nga familjet e mësipërme, përkundrazi ato janë për t’u falënderuar, mbasi kjo martesë nuk u prish, si rezultat i vendosmërisë së dy të rinjve, pavarësisht presionit të ushtruar ndaj tyre nga partia-shtet në kohën e diktaturës.
Diferencimi shoqëror i pakuptimtë i shoqëronte familjet kulake në çdo kohë, në gëzime e në hidhërime. Në raste vdekjesh varrimi kryhej vetëm me të afërmit e familjes. Kishte mjaft banorë të fshatit që dëshironin të merrnin pjesë në varrim, por në këto raste viheshin në lëvizje informatorët e fshehtë të Sigurimit të Shtetit, të cilët informonin për çdo detaj duke krijuar probleme për të pranishmit. Kur ndërroi jetë Selimi, merr pjesë në varrim Isuf Bardhoshi, që ishte dhëndër i Shabanit. Çështja u bë e madhe. I vihet “Fletë-rrufe”, në stendat e emulacionit të sektorit, si dhe e kërcënojnë se do ta cilësojnë edhe atë kulak./Memorie.al/