VIDEO/ Frymëzimi dhe arti, Gazmend Leka në ‘Odeon’: Vizatimi si reflektim i jetës

Nga Egla Xhemalaj

Në ‘Odeon’, Gazmend Leka rrëfen udhëtimin e tij të brendshëm përmes vizatimit një kthim i domosdoshëm në burimin e parë të krijimit, aty ku çdo vijë është kujtim, ndjenjë dhe reflektim.

‘Magjia e vizatimit’ është thjesht një mënyrë për të hyrë në dhomën e shpirtit dhe për t’i rigjetur gjurmët e vetes që koha nuk i ka fshirë. Leka ndalet në kujtime të hershme, në përvoja që kanë formësuar artin e tij, nga momentet e frymëzimit në Paris te ballafaqimet me vështirësitë e krijimit.

Ai e sheh vizatimin si një akt njerëzor, të lidhur ngushtë me jetën, me përvojat dhe me heshtjen që ndriçon më shumë se çdo ngjyrë. Në çdo punë të tij, vërehet një përpjekje për të mos e tradhtuar vetveten, për të mbetur konseguent në rrugën artistike, për të ruajtur mendimin dhe formën.

Në një kohë kur arti shpesh rend pas zhurmës dhe performancës, Leka zgjedh të flasë me thjeshtësi, që bart peshën e gjithë botës së tij të brendshme. Ai reflekton edhe mbi ndryshimet që sjell teknologjia, megjithatë sipas profesorit arti dhe libri nuk do ta humbasin shpirtin përballë inteligjencës artificiale.

‘Magjia e vizatimit’ është një rrëfim për jetën dhe qëndrueshmërinë, për përpjekjen e artistit për t’u rigjallëruar përmes kujtesës. Gazmend Leka e sheh vizatimin si një formë frymëmarrjeje një mënyrë për të mbetur gjallë në një botë që shpesh harron të ndalojë dhe të shohë.

Ai jeton me këto: me vijën, me pikën, me heshtjen e artit që nuk pushon së pyeturi.