Magjepsi botën me sharmin dhe elegancën e saj, ndërron jetë Mbretëresha Sirikit e Tajlandës

Mbretëresha Sirikit e Tajlandës, nëna e mbretit aktual Maha Vajiralongkorn dhe bashkëshortja e ndjerë e Mbretit Bhumibol Adulyadej – monarkut me mbretërimin më të gjatë në historinë e Tajlandës – ka ndërruar jetë të premten, në moshën 93-vjeçare, në një spital të Bangkokut.

E njohur për elegancën, ndikimin dhe përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të komuniteteve rurale, Mbretëresha Sirikit la pas një trashëgimi të thellë kulturore dhe humanitare.

Sirikit Kitiyakara mbikëqyri për dekada programe mbretërore për fuqizimin e popullsisë së varfër, ruajtjen e zanateve tradicionale dhe mbrojtjen e mjedisit. Për elegancën dhe stilin e saj, ajo shpesh cilësohej si “Jackie Kennedy e Azisë”.

Gjatë vizitave jashtë vendit, ajo mahniti median botërore me bukurinë dhe ndjenjën e saj të modës. Në vizitën e saj historike në Shtetet e Bashkuara në vitin 1960 – ku mori pjesë në një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë – revista Time e përshkroi atë si “elegante” dhe “feministe”, ndërsa gazeta franceze L’Aurore e quajti “verbuese”.

Gjatë viteve 1960, ajo u përfshi në jetën diplomatike dhe kulturore ndërkombëtare, duke u takuar me udhëheqës dhe personalitete të njohura botërore, duke marrë pjesë në koncerte xhazi dhe duke u shfaqur në kopertinat e revistave më të njohura të modës.

ër dekada, ajo u konsiderua si “Nëna e Kombit”, për shkak të përkushtimit ndaj çështjeve sociale dhe ndihmës ndaj komuniteteve vulnerabël. Edhe pse stili i saj i jetesës luksoz shkaktoi thashetheme në kryeqytet, popullariteti i saj në fshat mbeti i palëkundur.

Fundi i një epoke

Pas një goditjeje në tru disa vite më parë, Mbretëresha Sirikit u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të mbetej e pranishme në jetën e përditshme të tajlandezëve përmes portreteve dhe ceremonive zyrtare.

Djali i saj, Mbreti Vajiralongkorn, shpalli një vit zie kombëtare, ndërsa funerali i saj po mbahet me nderime të larta, sipas traditës mbretërore tajlandeze.

Mbretëresha Sirikit do të mbahet mend si një figurë e elegancës, përkushtimit dhe humanizmit, që i kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj popullit dhe ruajtjes së identitetit kulturor të Tajlandës.