SYRI TV/ Burgu i Durrësit shndërrohet në ‘call center’, gjenden 5 celularë tek dushet
5 telefona janë gjetur në qelitë e burgut të Durrësit, ku veç të dënuarve të zakonshëm qëndrojnë edhe zyrtarë të nivelit të lartë. Mësohet se telefonat janë gjetur të fshehur në dyert e kabinave të dusheve, në mënyrë që të shmangeshin dënimet për sendet e paligjshme në qeli. Drejtoria e Burgjeve, pas kontrollit ka njoftuar edhe emrat e 3 të dënuarve që kishin në zotërim telefonat celularë.
Syri TV
Një kontroll i befasishëm në Burgun e Durrësit ku mbahen edhe Erion Veliaj, Ilir Beqaj e zyrtarë të tjerë të arrestuar, nxori në pah se ishte kthyer në një qendër call centeresh. 5 aparate celulare u gjetën në ambientet e përbashkëta të fshehura në dyert e dhomave të dusheve në Godinën “A”, kati i tretë, Sektori 1. Për këtë ngjarje, dyshohet se shtetasit Flamur Kapri, Aldo Prifti dhe Vladimir Ibrushji janë posedues, por ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve nuk sqaron në komunikatën për mediat, nëse vetëm ata ishin përdorues apo ua jepnin edhe bashkëvuajtësve të tyre në përdorim.
Kontrolle janë zhvilluar ne disa dhoma dhe ambiente të përbashkëta, pasi kishte informacione se brenda institucionit mund të këtë lende narkotike, telefona apo sende të tjera të ndaluara. Një burim i mirëinformuar i tha Syri Televizion se edhe qelitë apo sektori ku mbahet Veliaj ka qenë subjekt i kontrolleve, teksa ky i fundit ka një akuzë për mbajtje e përdorim të sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit. Ndërkohë hetimet vijojnë për mënyrën se si janë futur këto sende të ndaluara në burg dhe nëse ka pasur bashkëpunim me personelin e sigurisë.