75 vite nga martirizimi i Marie Tucit, përkujtohet gruaja që sfidoi regjimin komunist

Torturat çnjerëzore të regjimit komunist i morën jetën kur ishte vetëm 22 vjeçe. E futur në një thes bashkë me një mace dhe e goditur barbarisht, Marie Tuci mbylli sytë në spitalin e Shkodrës, pas dhunës mizore që iu ushtrua vetëm sepse guxoi t’i dilte kundër sistemit.

75 vite nga dita e vdekjes së saj, Kisha Katolike në Shkodër e përkujtoi të vetmen grua mes 38 martirëve të saj. Ceremonia përkujtimore nisi nga qelia nr. 13, në ish-burgun famëkeq në qendër të Shkodrës – sot i kthyer në vend dëshmie dhe kujtese.

Procesioni me lutje e këngë vijoi drejt kishës së motrave stigmatine, aty ku u kremtua mesha e shenjtë nga arqipeshkvi, imzot Giovanni Peragine. “Dëshmia e fesë kërkon guxim dhe qëndrueshmëri. Duke parë jetën e Marie Tucit, këto fjalë e kanë udhëhequr ekzistencën e saj”, – u shpreh arqipeshkvi gjatë meshës.

Historia e Marie Tucit është një nga dëshmitë më të dhimbshme dhe njëkohësisht më madhështore të qëndresës ndaj shtypjes dhe dhunës ideologjike.

Në një kohë kur regjimi komunist shqiptar nisi një valë terrori ndaj klerit katolik dhe ndaj atyre që nuk pranonin të mohonin besimin, Marie Tuci u bë simbol i pathyeshmërisë dhe sakrificës.