Sondazhe të manipuluara/ Trump arrin fitore ligjore ndaj anketuesve mashtrues: Ndërhyrje e pastër zgjedhore

Sondazhet zgjedhore përdoren nga e majta jo për ta testuar opinionin publik, por për ta ndikuar atë. Kjo ndodh në Shqipëri, por ndodh edhe në vende si SHBA. Por atje presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur një fitore ligjore ndaj një kompanie sondazhesh, e cila kishte manipuluar opinionin publik me anketat e saj parazgjedhore

FOX NEWS

Presidenti Donald Trump fitoi një betejë ligjore të premten me padinë e tij kundër anketueses së shtetit të Ajovas, J. Ann Selzer, dhe gazetës ‘The Des Moines Register’. Rasti tani do të kalojë në Gjykatën Shtetërore të Ajovas, pasi një gjykatë apeli u rreshtua në anën e presidentit dhe vendosi se gjykata më e ulët kishte tejkaluar kompetencat e saj.

Ekipi ligjor i Trump i ka akuzuar të paditurit për “ndërhyrje të hapur në zgjedhje” pasi me sondazhin e tyre përfundimtar presidencial të vitit 2024 në Ajova — tregonin se Trump ishte pas demokrates Kamala Harris.

Ky ekip kishte kërkuar fillimisht në maj që çështja të zhvendosej në Gjykatën Shtetërore të Ajovas, pasi të paditurit e kishin “transferuar” atë në gjykatën federale.

Një gjyqtar federal e kishte refuzuar kërkesën në atë kohë, por vendimi i gjyqtarit të emëruar nga Obama, u rrëzua nga Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun e 8-të.

Në një opinion të ashpër, Qarku i 8-të miratoi kërkesën e Trump shoqëruar me një urdhër gjyqësor të rrallë që përdoret për të korrigjuar gabime të qarta ligjore — dhe i dha udhëzime gjyqtarit të distriktit ta trajtojë çështjen “pa asnjë paragjykim”, gjë që i lejon ekipit të Trump që ta paraqesë sërish padinë.

“Vendimi i drejtë dhe i përshtatshëm nga Qarku i 8-të siguron që çështja e fuqishme e presidentit Trump, e përqendruar te sondazhet e rreme që ndërhynë në zgjedhje dhe që u zhvilluan e u publikuan nga J. Ann Selzer, ‘The Des Moines Register’ dhe pronari i saj, do të shqyrtohet në Gjykatën Shtetërore të Ajovas, aty ku i takon,”  tha një zëdhënës i ekipit ligjor të Trump për Fox News.

Padia ishte paraqitur fillimisht në dhjetor në Qarkun Polk të Ajovas dhe kërkonte “përgjegjësi për ndërhyrjen e hapur në zgjedhje në favor të ish-kandidates demokrate Kamala Harris, përmes përdorimit të një sondazhi të manipuluar”.

“Sondazhi i Harris nuk ishte një ‘gabim’, por një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024,” thuhej në padi në atë kohë, duke shtuar se “të paditurit dhe bashkëpunëtorët e tyre në Partinë Demokrate shpresonin që sondazhi të krijonte një narrativë të rreme javën e fundit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.”

Selzer publikoi sondazhin e saj përfundimtar, të sponsorizuar nga ‘The Des Moines Register’, ku Kamala Harris rezultonte të kryesonte ndaj Trump me tre pikë në Ajova, vetëm tre ditë para zgjedhjeve.

Ky sondazh befasues tregonte një ndryshim prej shtatë pikësh në favor të Harris krahasuar me shtatorin, kur Trump kishte një epërsi prej katër pikësh ndaj zëvendëspresidentes në të njëjtin sondazh.

Sondazhi i Selzer u përhap gjerësisht në media në ditët para zgjedhjeve, pasi parashikimet e saj të mëparshme kishin rezultuar historikisht të sakta. Shumë komentues sugjeruan se ai nënkuptonte një ndryshim të madh në mbështetjen e rajonit të Mesëm Perëndimor për Harris, edhe në një shtet tradicionalisht republikan. Por, sondazhi doli të ishte krejtësisht i gabuar.

Trump e mposhti Harris në Ajova me më shumë se 13 pikë përqindje — fitorja e tij e tretë radhazi në atë shtet dhe hera e parë që një kandidat fitonte me diferencë dyshifrore aty që nga viti 1980.

Pak pas zgjedhjeve, Selzer njoftoi se po i jepte fund sondazheve zgjedhore dhe do të merrej me “nisma të tjera”.