PD: Projekti TID, klientelizëm që shkatërron pronën dhe trashëgiminë e Durrësit

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Durrësit për të denoncuar projektin e njohur si “TID”, që synon rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të disa zonave të qytetit.

Në një deklaratë për mediat, Zhupa e përshkroi këtë projekt si një plan korruptiv dhe klientelist, i cili nuk ka si qëllim mbrojtjen e trashëgimisë historike të qytetit, por krijimin e hapësirave të reja për interesa të ngushta politike dhe ekonomike.

Deputetja theksoi shembjen e një shtëpie historike të shekullit të 16-të, e cila është e kualifikuar nga projekti për tu prishur, ndërkohë që tabela informuese tregonte se muri ishte pjesë e trashëgimisë osmane dhe duhej të mbrohej nga shteti, jo të shkatërrohej.

Ajo shtoi se vetëm disa metra më tej po ndërtohet një pallat i ri mbi një lulishte, me beton dhe pilota, në një zonë arkeologjike pranë shkollës së muzikës “Jani Kukuzeli”, duke evidentuar kështu mospërputhjen mes planeve të zhvillimit urban dhe mbrojtjes së historisë.

Deklarata e plotë për media: 

Ndodhem në qytetin e Durrësit, kam ardhur këtu për të denoncuar projektin e famshëm “TID” për rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të disa zonave të Durrësit.

Në fakt është thjeshtë një projekt korruptiv dhe klientelist që nuk ka rëndësi për të mbrojtur trashëgiminë apo historinë e Durrësit por për të krijuar hapësira të reja për interesa klienteliste.

Këtu jemi në një rast tipik në cilin mund të gjykojnë vetë qytetarët që do ta ndjekin.

Kjo është një shtëpi e cila është e kualifikuar nga projekti TID për tu shëmbur. Para këtu ka qenë një tabelë e cila tregonte se ky mur është një mur otoman i vitit 1500 dhe duhet të mbrohej nga shteti dhe jo të shkatërrohej nga shteti.

Ndërkohë është parashikuar se do të shëmbet dhe vetëm 5 hapa larg ngjitur po ndërtohet një pallat i ri në një zonë e cila ishte lulishte.

Ky pallat po ndërtohet me beton, me pilota në një zonë arkeologjike dhe shumë pranë shkollës së muzikës “Jani Kukuzeli”.

Pse ndodh kjo gjë në Durrës?!

Sepse ky projekt i cili është mbushur me pika të kuqe për shtëpi që duhet ti prishen durrsakëve të vjeter, atyre që janë banorët lokal të Durrësit, që kanë historinë dhe trashëgiminë e Durrësit edhe në përjetimet dhe kujtesen e tyre, ka vetëm një qëllim, ka si qëllim të krijoj hapësira të reja publike për qëllime klienteliste.

Pse duhet të prishet një shtëpi e vjetër që nga 1500-ta ku zotëria këtu është pronar për t’u ndërtuar një pallat i ri në një vend të një lulishtje ngjitur?!

Nuk ka asnjë arsyetim!

Ky projekt i gjithi nuk ka asnjë arsyetim!

Dhe ndaj do të kundërshtohet nga ne në gjitha format, në gjitha instancat, në gjyqe, në Parlament dhe kudo.

Sepse Durrësi do të duhet të ruhet për trashëgiminë e vet për historinë edhe për rrëfimet e banorëve lokal dhe të mbrohet ajo që është identitet i këtij qyteti dhe jo ndërtimet e reja për qëllime klienteliste.

Shumë faleminderit.