Kontroll masiv në Burgun e Durrësit pas informacioneve për lëndë narkotike dhe sende të ndaluara
Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në Burgun e Durrësit ditën e sotme.
Në ambientet e brendshme të burgut, ku ndodhen të paraburgosur dhe të burgosur, disa politikanë dhe individë me rrezikshmëri të lartë deri te krerë bandash kriminale, janë përfshirë dhjetra efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas burimeve, thuhet se po zhvillohen kontrolle në disa dhoma banimi dhe ambjente të përbashkëta, pasi kishte informacione se brenda institucionit mund të ketë lëndë narkotike, telefona apo sende të tjera të ndaluara.
Njoftim për shtyp:
Në orët e mëngjesit të sotëm, forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë zhvilluar një kontroll të befasishëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës.
Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate telefoni celular të markës iPhone, të cilat përbëjnë sende të ndaluara në ambientet e institucionit.
Sendet janë gjetur të fshehura në dyert e dusheve (ambient i përbashkët), në Godinën “A”, kati i tretë, Sektori 1.
Dyshohet se këto telefona i përkisnin të dënuarve me inicialet F. K., A. P. dhe V. I.
Në lidhje me rastin, po vijon puna hetimore për identifikimin e plotë të personave përgjegjës dhe mënyrën se si janë futur sendet e ndaluara në institucion.