Fëmijët në Gaza po vdesin ndërsa presin që Izraeli të lejojë evakuimet mjekësore
Shumë jetë në Gaza ende varen në fije të perit.
Në pavione të ndryshme të Spitalit Nasser qëndrojnë dy djem 10-vjeçarë — njëri i qëlluar nga zjarri izraelit dhe i paralizuar nga qafa e poshtë, tjetri me një tumor në tru.
Tani që është vendosur një armëpushim i brishtë, ata janë mes rreth 15,000 pacientëve që, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor.
Ola Abu Said qëndron butësisht pranë të birit, Amarit, duke i ledhatuar flokët. Familja e tij thotë se ai ishte në tendën e tyre në jug të Gazës kur u godit nga një plumb qorr i qëlluar nga një dron izraelit.
Plumbi është ngulur midis dy rruazave të qafës, duke e lënë të paralizuar.
“Ai ka nevojë urgjent për operacion,” thotë Ola, “por është e ndërlikuar. Mjekët na thanë se ndërhyrja mund të jetë fatale, të shkaktojë goditje në tru ose gjakderdhje cerebrale. Ai duhet të operohet në një vend të pajisur mirë.”
Por sot Gaza është shumë larg një vendi të tillë.
Pas dy vitesh lufte, spitalet e saj ndodhen në gjendje kritike.
Pranë shtratit të të vëllait të saj më të vogël, Ahmed al-Jadd, qëndron motra e tij, Shahd. Ajo thotë se Ahmedi ka qenë ngushëllimi i saj i vetëm gjatë dy viteve të luftës dhe zhvendosjeve.
“Ai është vetëm 10 vjeç, dhe kur gjendja jonë u përkeqësua, dilte dhe shiste ujë që të sillte pak para për ne,” rrëfen ajo.
Disa muaj më parë, ai nisi të shfaqte shenjat e para të sëmundjes.
“Goja e Ahmedit filloi të lëshohej në njërën anë,” tregon Shahd. “Një ditë më tha vazhdimisht: ‘Shahd, më dhemb koka’, dhe ne i dhamë vetëm paracetamol, por më vonë dora e djathtë i pushoi së lëvizuri.”
Ish-studentja universitare është tani e dëshpëruar që vëllai i saj të udhëtojë jashtë për t’u operuar.
“Nuk mund ta humbim. Kemi humbur tashmë babain, shtëpinë dhe ëndrrat tona,” thotë ajo.
“Kur ndodhi armëpushimi, na dha pak shpresë — ndoshta një mundësi 1% që Ahmedi të mund të udhëtonte dhe të kurohej.”
Evakuimet mjekësore – shumë të pakta përballë nevojës
Të mërkurën, OBSH-ja organizoi konvoin e parë mjekësor që doli nga Gaza që prej fillimit të armëpushimit më 10 tetor.
Nëpërmjet pikës kufitare Kerem Shalom të Izraelit, u evakuuan 41 pacientë dhe 145 shoqërues, që u transportuan me ambulanca e autobusë drejt Jordanisë, ku disa kanë mbetur për trajtim.
Agjencia e OKB-së ka kërkuar që numri i evakuimeve mjekësore të rritet me urgjencë, për të përballuar mijëra raste të të sëmurëve dhe të plagosurve.
Ajo kërkon gjithashtu të rifillojë transferimet përmes kufirit të Rafahut me Egjiptin, siç bëhej më parë.
Megjithatë, Izraeli e ka mbajtur kalimin e Rafahut të mbyllur, duke thënë se Hamas duhet “të përmbushë” detyrimet e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, duke kthyer trupat e pengjeve të vrarë.
Izraeli ka mbajtur anën gaziane të kufirit me Egjiptin të mbyllur që nga maji 2024, kur mori kontrollin e saj gjatë luftës.
OBSH: Lejoni trajtimin e pacientëve në Bregun Perëndimor
Në një konferencë për shtyp të enjten, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se “masa më e dobishme” do të ishte që Izraeli të lejonte trajtimin e pacientëve gazianë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, siç ndodhte para luftës.
Zyrtarë të lartë të BE-së dhe ministra të jashtëm të më shumë se 20 vendeve — përfshirë Mbretërinë e Bashkuar — kanë bërë thirrje të ngjashme, duke ofruar “kontribute financiare, personel mjekësor dhe pajisje të nevojshme”.
“Qindra pacientë mund të trajtoheshin lehtësisht dhe shpejt nëse do të hapej sërish ky itinerar drejt Rrjetit të Spitaleve të Jerusalemit Lindor dhe spitaleve në Bregun Perëndimor,” tha Dr. Fadi Atrash, drejtor i spitalit Augusta Victoria në malin e Ullinjve.
“Ne mund të trajtojmë të paktën 50 pacientë në ditë me kimioterapi dhe rrezatim, e madje edhe më shumë. Spitale të tjera mund të kryejnë shumë ndërhyrje kirurgjikale,” shtoi ai.
“Dërgimi i tyre në Jerusalem është rruga më e shkurtër dhe më efikase, sepse kemi mekanizmin, flasim të njëjtën gjuhë, ndajmë të njëjtën kulturë — madje në shumë raste kemi dosjet mjekësore të pacientëve nga Gaza, të cilët janë trajtuar këtu për më shumë se një dekadë para luftës.”
Izraeli nuk jep leje kalimi
BBC-ja pyeti organin e mbrojtjes izraelite Cogat, që kontrollon pikat e kalimit të Gazës, pse kjo rrugë mjekësore nuk po aprovohet.
Cogat u përgjigj se vendimi është në nivel politik dhe i referoi pyetjet Zyrës së Kryeministrit, e cila nuk dha sqarime të mëtejshme.
Pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli ka përmendur arsye sigurie për të mos lejuar hyrjen e pacientëve nga Gaza në territoret e tjera palestineze, duke kujtuar se pika kryesore e kalimit për njerëzit, Erez, ishte objektiv i luftëtarëve të Hamasit gjatë sulmit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, vetëm gjatë vitit deri në gusht 2025, të paktën 740 persona, përfshirë gati 140 fëmijë, kanë vdekur ndërsa ishin në listat e pritjes për evakuim.
“Diagnozë pa trajtim”
Në Spitalin Nasser, drejtori i pavionit të pediatrisë dhe maternitetit, Dr. Ahmed al-Farra, shpreh dëshpërimin e tij:
“Është ndjenja më e vështirë për një mjek të jetë aty, të dijë çfarë ka pacienti, por të mos ketë mundësi të bëjë analizat bazë apo të japë trajtimin e nevojshëm,” thotë ai.
“Kjo ka ndodhur në shumë raste, dhe fatkeqësisht, çdo ditë humbasim jetë për shkak të mungesës së mundësive.”
Që prej armëpushimit, disa prej pacientëve të tij nuk kanë arritur të mbijetojnë.
Javën e kaluar, në oborrin e spitalit u zhvillua funerali i Saadi Abu Taha, 8 vjeç, që vdiq nga kanceri në zorrë.
Një ditë më pas, Zain Tafesh, 3 vjeç, dhe Luay Dweik, 8 vjeç, humbën jetën nga hepatiti.
Pa ndërhyrje urgjente, shumë të tjerë në Gaza nuk do ta kenë shansin të jetojnë në paqe./BBC