Trump nis turin në Azi, pritet të zhvillojë bisedime tregtare me Xi Jinping

Presidenti Donald Trump ka nisur një tur pesëditor në Azi, gjatë të cilit pritet të marrë pjesë në bisedime të rëndësishme tregtare me presidentin kinez Xi Jinping dhe është shprehur i hapur për një takim të mundshëm me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Trump u nis nga Uashingtoni të premten mbrëma dhe do të vizitojë Malajzinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Ku wshtw udhëtimi i tij i parë në rajon që prej marrjes së detyrës në janar.

Sipas planit, takimi me Xi do të zhvillohet ditën e fundit të turit dhe synon arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se shpreson për një “takim shumë të mirë” me Xi dhe se pret që Kina të bëjë një marrëveshje për të shmangur vendosjen e tarifave shtesë prej 100% më 1 nëntor.

Në nisje të udhëtimit, ai shtoi se mundësia për një takim me Kim Jong-un gjatë qëndrimit në gadishullin korean është ende e hapur.
“Do të isha i hapur për një takim të tillë”, tha Trump. “Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të.”

Dy liderët janë takuar tre herë gjatë mandatit të parë të Trump. Kim ka shprehur gatishmërinë për një takim të ri, me kusht që SHBA të heqë dorë nga kërkesa për çarmatim bërthamor të plotë të Koresë së Veriut.

Ministri korean i ribashkimit deklaroi të premten se ekziston një “mundësi e konsiderueshme” që takimi të ndodhë gjatë vizitës së Trump në Korenë e Jugut. Ndërkohë, CNN raportoi se zyrtarë amerikanë kanë diskutuar mundësinë e organizimit të një takimi të tillë. Megjithatë, përpara nisjes, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë mohuan ekzistencën e një plani konkret për një takim me Kim-in.

Stacioni i parë i turit është Malajzia, ku Trump pritet të marrë pjesë në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Gjatë qëndrimit atje, ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me Malajzinë dhe të mbikëqyrë nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje midis Tajlandës dhe Kamboxhias. Ai gjithashtu ka planifikuar një takim dypalësh me presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, për të përmirësuar marrëdhëniet pas muajsh tensioni.

Më pas, Trump do të udhëtojë drejt Tokios për t’u takuar me Sanae Takaichi, e cila këtë javë u bë kryeministrja e parë femër e Japonisë. Pjesa më e rëndësishme e turit do të zhvillohet në Korenë e Jugut, ku Trump do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) dhe do të takohet me Xi për herë të parë që prej rikthimit të tij në detyrë.

Tregjet ndërkombëtare do ta ndjekin me vëmendje takimin për të parë nëse dy vendet do të arrijnë të ndalin përshkallëzimin e luftës tregtare që shpërtheu pas tarifave të reja të vendosura nga administrata Trump më herët këtë vit. Një marrëveshje e përkohshme mund të përfshijë lehtësim të pjesshëm të tarifave, zgjatje të afateve ekzistuese ose angazhimin e Pekinit për blerjen e produkteve amerikane si sojë dhe aeroplanë Boeing.

Përveç çështjeve tregtare, Trump dhe Xi pritet të diskutojnë edhe mbi Tajvanin dhe Rusinë, aleate e Kinës që aktualisht përballet me sanksione të zgjeruara amerikane për shkak të luftës në Ukrainë.

Para nisjes nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se çështja e Tajvanit pritet të jetë pjesë e diskutimeve me Xi. Ai shtoi gjithashtu se do të ngrejë edhe çështjen e lirimit të Jimmy Lai, themeluesit të gazetës tashmë të mbyllur Apple Daily, i cili ndodhet në burg në Hong Kong nën ligjet e sigurisë kombëtare të vendosura nga Pekini.
“E kam në listë. Do ta kërkoj… Do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha ai.