30 milionë lekë për një muaj/ ‘Piranjat’ i japin zgjidhje situatës absurde të qytetarit me OSHEE-në
Më shumë se një dekadë më parë, arkëtimi i faturave të energjisë elektrike ishte një nga sfidat më të mëdha të sektorit të energjisë. Në disa zona rurale, por edhe në qytete, energjia elektrike shfrytëzohej shpesh pa pagesë ose me matës të dëmtuar, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për arkën e shtetit.
Por jo gjithmonë përgjegjësit e vetëm kanë qenë qytetarët, sepse në disa raste atyre iu është dashur të përballen edhe me absurditetin e mbifaturimit — dhuratë nga kompanitë e sistemit të shpërndarjes.
Siç është rasti i Caf Seferajt, 75-vjeçarit nga fshati Melgush, vetëm 11 km nga qyteti i Shkodrës. Në qershor të vitit 2011, Cafi është faturuar me plot 30 milionë lekë dhe, për shkak të kamatëvonesave, shuma ka shkuar në 60 milionë lekë.
Për shkak të kësaj fature, të cilën Cafi nuk e ka shlyer, atij vazhdon t’i ndërpritet ende sot e kësaj dite energjia elektrike në banesën e tij. Për t’i gjetur një zgjidhje kësaj situate, “Piranjat” iu drejtuan OSHEE-së në Bushat dhe FSHU-së në Shkodër.
Pas diskutimeve me drejtuesit dhe punonjësit në këto dy institucione, “Piranjat” mësuan se Cafi kishte nënshkruar një marrëveshje (pa qenë plotësisht në dijeni) për shlyerjen e disa faturave janar–qershor 2011.
Por përveç faturës së çmendur të qershorit 2011, absurditeti më i madh qëndronte te afati i shlyerjes së debisë në vitin 2144.
Punonjësi i FSHU-së në Shkodër u shpreh se për këtë çështje nuk mund të jepet asnjë zgjidhje, përveçse të bëhet një ankesë te Enti Rregullator i Energjisë.
Mirëpo, “Piranjat” nuk u ndalën me kaq, por iu drejtuan për një zgjidhje edhe Drejtorisë së Përgjithshme të OSHEE-së.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u shpreh se, bazuar mbi të dhënat historike disavjeçare, rezulton se matësi i familjes Seferaj është lexuar me 6 shifra, kur nga akt-konstatimi rezulton 5 shifra në matës. Ndaj, tashmë do të gjenerohet një faturë sistemuese bazuar në konsumin real të regjistruar nga matësi, i cili është hequr në mars të vitit 2020.
Sipas OSHEE-së, kjo faturë e re do të reflektojë konsumin e periudhës qershor 2011–mars 2020, i cili ka mbetur i pafaturuar si rezultat i mbifaturimit të mëparshëm.