'Ata që nuk kanë nevojë për kamera, por për kujtesë' - 'Heronjtë e heshtur'

Monolog nga Flavio Qarri - Piranjat 

Mirëmbrëma!

E dini çfarë më ndodh çdo mëngjes? E njëjta gjë që ndodh edhe juve.

Hap telefonin, bëj scroll... dhe faqja e lajmeve është një deja-vu e çdo dite:

"Rama tha..."

"Rama bëri..."

"Berisha reagoi..."

"SPAK arreston 6 vetë..."

“Rama takoi..."

"Shfrytëzonte për prostitucion..."

"Policia kap parcelë me kanabis..."

"Avokati shpërthen ndaj GJKKO..."

Dhe pastaj... lajmet vërtet të mëdha të ditës:

"Modelja X në romancë të re!"

"Influencerja Y i kthehet fansit — përgjigja epike!"

Ky është feed-i i celularit tim, dhe i yt.

Sipas lajmeve, ky është realiteti.

Si të thuash — ja, kjo është Shqipëria. Këta janë njerëzit që duhet të admirojmë.

Këta janë “rolet model”.

Por… ndonjëherë, fare poshtë në faqen e lajmeve, mes gjithë zhurmës e pluhurit, del ndonjë lajm ndryshe.

Një burrë që zhytet në lumë e shpëton dy fëmijë që po mbyten.

Një tjetër që nxjerr nga liqeni turistët — por humbet jetën e vet.

Një qytetar që hyn mes flakëve për të nxjerrë një bebe 18-muajshe.

Në Shkodër. Në Tiranë. Në Arta. Në Lamia. Në Leicester. Në Padova. Në Romano… Shqiptarë janë, pra.

Por, t’ju pyes. A janë këta njerëz Shqipëria?

Ata nuk janë shumica...

Se shumica sot, kur sheh dikë që vidhet në autobus, kthen kokën mënjanë. Kthen kokën edhe kur vidhet një pyll, një park, një aeroport i tërë... Dhe e mbyll me klisheenë: “Epo, s’bëhet ky vend.”

Por këta njerëz... që ju fola… janë shëmbëllimi i asaj që duhet të jemi.

Janë vetja jonë më e mirë si komb.

Ne kemi ngritur përmendore për politikanë, për data e “suksese” që harrohen.

Po për këta — që japin jetën për të shpëtuar dikë tjetër — rrallë ndonjë medalje; larg qoftë ndonjë tabelë në ndonjë rrugicë.

Ne duhej t’i kishim përmendoret e tyre anës Vjosës... anës Bunës...

Sa për t’ia kujtuar vetes se dikur, dikush, një nga ne, nuk mendoi për veten.

Ne kemi mësuar të përulemi.

Para pushtetit. Para parasë. Para shefit.

Ne që s’ngrihemi në këmbë as për himnin e flamurit.

E pra unë — unë përulem para këtyre njerëzve.

Ata nuk e bënë për, e as nuk kërkuan shpërblim.

As kamera.

As status.

Thjesht bënë diçka njerëzore.

Kjo quhet sakrificë.

Në një vend ku çdo ditë sakrifikohet Shqipëria për interesin e individit… ata sakrifikojnë individin për shoqërinë.

Në një vend ku vëmendja blihet ose kërkohet me potere,

Ata veprojnë në heshtje.

Unë sonte dua t’i përmend me emër.

(emrat e heronjve shfaqen në LED wall – një pas një)

Këta janë heronjtë tanë të vërtetë.

Këta janë ata që na kujtojnë se kush mund të jemi, nëse duam.

Në një botë plot zhurmë, ku njerëzit e vegjël bëjnë zhurmë për gjëra të vogla…

Ata bëjnë gjëra të mëdha — në heshtje.

Sepse janë njerëzit e mëdhenj të këtij vendi.

Dhe ne i detyrohemi të paktën një gjë:

t’i mbajmë mend.

Faleminderit.