Gjekmarkaj: Berisha, aset i pashmangshëm i PD-së, askush s’ka luftuar më shumë për zgjedhje të lira

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe të ardhmen e Partisë Demokratike, duke u ndalur te roli i ish-kryeministrit Sali Berisha në forcën politike që ai themeloi.

Gjekmarkaj vlerësoi kontributin historik të Berishës, duke theksuar se ai ka qenë ndër figurat më të angazhuara për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pavarësisht sfidave personale që ka kaluar.

“Askush nuk ka luftuar në mënyrë kaq të paepur si Sali Berisha për zgjedhje të lira e të ndershme. Ai është futur në zgjedhje pas një viti arresti shtëpiak të padrejtë, pas ndarjes nga partia dhe elektorati. Si askush tjetër, e ka argumentuar çdo ditë gjatë verës me prova të pafundme se zgjedhjet ishin një farsë,” – deklaroi Gjekmarkaj.

Deputeti demokrat shtoi se edhe raporti i OSBE/ODIHR konfirmon shqetësimet e ngritura nga opozita për parregullsitë në procesin zgjedhor.

“Kush kishte sy për të parë e veshë për të dëgjuar e kuptoi që kishte një farsë,” – theksoi ai.

Në lidhje me rolin e Berishës në PD, Gjekmarkaj nënvizoi se pozicioni i tij nuk varet nga dëshirat individuale, por nga mbështetja që ai gëzon në bazën demokrate.

“Berisha është një aset i pashmangshëm i historisë dhe i PD-së. Raportin e tij me partinë nuk e përcakton vullneti i askujt, por e ndan mbështetja e demokratëve,” – tha ai.

Në fund, Gjekmarkaj theksoi se opozita duhet të fokusohet në sfidat e mëdha që ka përpara, duke lënë mënjanë debatet e brendshme.

“Ne kemi sfida shumë më të mëdha sesa të hamendësojmë për të ardhmen. Çdo ditë duhet të luftojmë për t’u dhënë shqiptarëve një jetë më të mirë,” – përfundoi deputeti demokrat.