Probleme të reja për Flick: Raphinha mungon në ‘El Clásico’
Barcelona ka marrë një goditje të rëndë vetëm dy ditë para përballjes së madhe me Real Madridin. Sipas mediave spanjolle, Raphinha nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen “El Clásico”, pasi ka pësuar një rëndim të ri muskulor. Sulmuesi brazilian mbylli seancën stërvitore të së enjtes me shqetësime dhe të premten nuk u paraqit fare në stërvitje, duke u larguar herët nga “Ciutat Esportiva” me fytyrë të zymtë.
Sipas “AS”, Raphinha është plotësisht i përjashtuar nga ndeshja e së dielës në “Bernabéu”. Edhe pse nuk pritej ta niste nga minuta e parë, ai do të kishte qenë një armë e vlefshme si zëvendësues, pasi sapo ishte rikthyer nga dëmtimi. Tani dyshohet se bëhet fjalë për një rikthim të dëmtimit në bicepsin femoral të këmbës së djathtë, çka mund ta mbajë jashtë fushave për të paktën një muaj tjetër, deri pas pushimit të kombëtareve në nëntor. Në këtë mënyrë, ai pritet të mungojë edhe ndaj Real Madridit, Elches, Club Brugge dhe Celtas, me rikthim të mundshëm në ndeshjen ndaj Athletic Bilbaos më 22 nëntor.
Ndërkohë, Jules Koundé gjithashtu nuk u stërvit, por rasti i tij nuk shkakton shqetësim, pasi bëhet fjalë vetëm për një goditje të lehtë. Francezi pritet të bashkohet me grupin të shtunën dhe të jetë gati për ndeshjen.
Megjithatë, ka edhe lajme të mira për Hansi Flick: Frenkie de Jong dhe Andreas Christensen janë rikuperuar nga problemet gastrointestinale dhe do të jenë të gatshëm për “El Clásicon”.