Josa: Kartoni i kuq ndryshoi gjithçka, por djemtë treguan karakter
Trajneri i Bylisit, Shpëtim Josa, analizoi me kujdes humbjen 2-1 ndaj Elbasanit, duke theksuar se skuadra e tij ishte në ekuilibër deri në momentin e daljes me karton të kuq të Brunës. Sipas tij, episodi ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe ndikoi në qetësinë e lojtarëve.
“Loja ishte e ekuilibruar deri në minutën e 23-të, nuk kishim rrezikuar në portë. Pastaj kartoni i kuq na futi në dilema dhe ndryshoi gjithçka. Erdhi edhe penalltia për Elbasanin, por dua t’u jap merita lojtarëve që u ngritën psikologjikisht dhe shënuan gol në moment të duhur,” – u shpreh Josa.
Tekniku i ballshiotëve vlerësoi reagimin dhe guximin e skuadrës së tij: “Futuam lojtarë të shpejtë në krahë për të barazuar ekuilibrat, u përpoqëm ta çonim ndeshjen deri në fund. Në ato momente kishte presion, por duhej të ishim më të qetë.”
Josa foli edhe për episodet e diskutueshme në fundin e ndeshjes: “VAR ndërhyri disa herë, por në fund kishte një rast që mund të na sillte barazimin. Për mendimin tim, topi nuk kishte dalë jashtë në aksionin ku shënuam, por arbitri ndaloi lojën më herët. Duhej ta linte deri në fund, pastaj të vendosej.”
Në përfundim, trajneri theksoi se ekipi duhet të fitojë më shumë stabilitet: “Djemtë më përgjigjen mirë, por kërkoj më shumë vazhdimësi dhe qetësi, sidomos kur ndryshimet taktike janë të detyruara.”