Ivan Gvozdenović: Fitore me stres, por djemtë e bënë detyrën

Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenović, u shfaq i lehtësuar pas fitores 2-1 ndaj Bylisit, një rezultat që i rikthen verdheblutë në rrugën e duhur pas disa javëve të vështira. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku serb pranoi se ekipi ka vuajtur psikologjikisht, por tregoi karakter në momentet vendimtare.

“Ndoshta presioni i rezultatit, por e kishim gjithçka në kontroll deri në golin e Bylisit. Pas tij, pak stres, por kundërshtari nuk rrezikoi shumë. Rasti i Diallos për 3-1 ishte momenti që mund ta mbyllte ndeshjen. Jam i kënaqur me pikët, sepse ishim të detyruar të fitonim”, – u shpreh Gvozdenović.

Ai pranoi se ekipi ka treguar shenja nervozizmi në fund, njësoj si ndaj Vorës: “Jam i mërzitur, sepse edhe atëherë e kishim ndeshjen në dorë, por e humbëm qetësinë. Duhet të mendojmë për skuadrën, jo kush shënon golin.”

Trajneri foli edhe për ndryshimet taktike: “Bruno është qendërmbrojtës natyral, por luajti mirë kur ishte nevojë. Lila kishte nevojë për pushim, ndërsa Lulo u përshtat në një rol jo të zakonshëm.”

Sa për zërat e dorëheqjes pas humbjes me Vorën, Gvozdenović ishte i sinqertë: “E mendova, sepse trajneri mban përgjegjësinë i pari. Por pasi fola me presidentin dhe stafin, vendosa të vazhdoj. Kemi grup të fortë dhe çunat reaguan si duhet. Kjo fitore na jep qetësi dhe besim për ndeshjet e ardhshme.”