Edi Martini: Ndeshja që më ka shijuar më shumë, Vllaznia ka karakter unik
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shfaq i entuziazmuar pas fitores 3-1 ndaj Tiranës, një ndeshje që sipas tij ka qenë më e veçanta në drejtimin e skuadrës shkodrane. Martini theksoi se skuadra e tij po tregon shpirt gare dhe karakter që, siç tha, “nuk e ka asnjë ekip tjetër në Shqipëri”.
“Ndeshja që më ka shijuar më tepër. Djemtë dhanë shpirtin në fushë, ky publik meriton gjithçka. Karakter i tillë nuk gjendet askund”, – u shpreh Martini, duke shtuar me humor se “nuk i japim dorën askujt para ndeshjes”.
Tekniku zbuloi edhe disa nga sfidat që ekipi ka përballuar: “Na munguan Bismark, Murataj, Qato e Dros, ndërsa Kallaku dhe Iago kishin probleme fizike. Por sërish djemtë reaguan me forcë. Sulmuam nga e djathta me Kastratin dhe funksionoi në mënyrë perfekte.”
Martini ndaloi edhe te lojtari Jago, të cilin e vlerësoi për inteligjencën taktike dhe aftësinë për të lexuar lojën.
Sa i përket sekretit të suksesit, Martini u shpreh qartë: “Befasia është arma jonë kryesore. Kemi lojtarë që dalin nga çdo anë e fushës, ndaj jemi të paparashikueshëm. Edhe golat e shënuar nga lojtarë të ndryshëm e tregojnë këtë.”
Në fund, trajneri shkodran kërkoi qetësi: “Nuk kemi pse të euforizohemi. Rruga është e gjatë, por me këtë karakter, Vllaznia mund të arrijë shumë.”