'Balluku e zhytur në krim elektoral dhe korrupsion'/ Vokshi: Thirrje shumë e vonuar e SPAK, Lubia firmosëse e skandaleve më të mëdha

E ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka komentuar hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

“Hetimi ndaj Ballukut është shumë i vonuar. Nëse do të ndodhë, është tepër vonë. Unë nuk e di, pasi i kanë thënë që të vijë të hënën, por mund ta kishin marrë siç kanë marrë edhe persona të tjerë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë”, u shpreh Vokshi.

Ajo theksoi se Partia Demokratike e ka denoncuar prej vitesh Belinda Ballukun për përfshirje në disa nga skandalet më të mëdha me kosto të lartë për buxhetin e shtetit. “Nëse do të ndodhë, është një hap që SPAK nuk kishte pse ta priste kaq gjatë. Mbetet për t’u parë se në çfarë cilësie po thirret Balluku, si person nën hetim apo si person në dijeni të një çështjeje”, shtoi deputetja demokrate.

Sipas saj, SPAK ka vepruar me standarde të dyfishta dhe duhej të kishte kaluar prej kohësh nga hetimi te akuzat ndaj Ballukut. “Pandëshkueshmëria bëri që ajo të ishte numri dy i qeverisë. Duket qartë se Rama ka qenë në tentativë për ta mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë Belinda Ballukun,” deklaroi Vokshi.

Deputetja e PD-së shtoi se nëse SPAK do të kishte reaguar më herët, nuk do të ishte përsëritur “masakra elektorale e 11 majit”. Ajo përmendi prova dhe dëshmi të depozituara nga strukturat e PD-së në qarkun Fier për “krime elektorale të kryera nga Balluku dhe njerëzit e saj”.

Vokshi citoi edhe deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas saj ka denoncuar publikisht “sistemin monstruoz të ngritur nga Belinda Balluku në Fier”. “Ajo është e zhytur në krim elektoral dhe korrupsion. Jo më kot zoti Berisha i ka vënë nofkën ‘Lubi Balluku’, sepse ajo ka vepruar pa limite”, u shpreh ajo.

Në vijim, deputetja përmendi përfshirjen e Ballukut në disa nga aferat më të mëdha të qeverisë Rama, si inceneratorët dhe tenderat e rrugëve të cilat, sipas saj, kanë kushtuar deri në 10 herë më shumë se në vendet e Bashkimit Europian.

“Është një thirrje shumë e vonuar e SPAK, që nuk çbën mosveprimin e deritanishëm,” përfundoi Albana Vokshi.

Vokshi:

Hetimi ndaj Ballukut është shumë i vonuar, nëse do të ndodhë, shumë i vonuar. Unë nuk e di, pasi i kanë thënë që të vijë të hënën, mund ta kishin marrë siç kanë marrë edhe personat e tjerë, gjithsesi mbetet për t’u parë.

Zonja Balluku është denoncuar nga ana e Partisë Demokratike prej vitesh tashmë dhe është përfshirë në disa prej skandaleve më të mëdha të denoncuara nga opozita, me kosto shumë të madhe në buxhetin e shtetit, por jo vetëm.

Pra, nëse do të ndodhë, është një hap që SPAK nuk kishte pse të priste kaq shumë vite. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëhet më tej, në çfarë cilësie po thirret Balluku, pra është një person nën hetim, është një person në dijeni të një çështjeje që është duke u hetuar, pra mbetet gjithçka për t’u parë.

Kjo nuk çbën në asnjë rast atë që ne kemi thënë më parë, që SPAK ka vepruar me shumë standarde. Belinda Balluku prej vitesh nuk duhet të ishte nën hetim tashmë, por duhet të ishte nën akuzë, person nën akuzë dhe person që duhet të ishte ndëshkuar. Pandëshkueshmëria bëri jo vetëm që ajo të ishte numri dy në qeverinë e mëparshme apo në këtë qeveri, pra duket që Rama ka pasur një tentativë për ta mbrojtur Belinda Ballukun dhe vazhdon ta mbrojë Belinda Ballukun.

Nëse SPAK do të kishte reaguar më parë, atëherë nuk do të kishte ndodhur masakra elektorale që ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit të 11 majit. Ne kemi dëshmi, kemi fakte nga Fieri, përveç atyre që janë depozituar, denoncuar nga kryetari i grupit parlamentar, por edhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun Fier, me prova konkrete për masakrën elektorale dhe krimet e shumta elektorale të Belinda Ballukut, por kemi edhe prova të tjera të cilat ne i kemi bërë me dije.

Zoti Berisha, një pjesë prej tyre i ka denoncuar edhe publikisht në konferencat e shtypit për sistemin monstruoz të ngritur nga Belinda Balluku në Fier.
Belinda Balluku është zhytur në krim elektoral, Belinda Balluku është e zhytur në korrupsion. Jo më kot zoti Berisha i ka vënë një emër tjetër që unë gjykoj se ajo e meriton — Lubi Balluku — sepse ajo ashtu ka vepruar, nuk kanë pasur limite.

Ajo, pas Edi Ramës, është një prej firmosëseve dhe miratueseve të disa prej skandaleve më të mëdha, qoftë inceneratorët, qoftë Tigri 1, Tigri 2, Tigri 3 etj., plus të gjitha tenderat e rrugëve të florinjta që kanë kushtuar 10-fish më shumë sesa kushtojnë në vendet e tjera të Bashkimit Europian, dhe kështu me radhë. Lista është shumë e gjatë e Belinda Ballukut.

Është një thirrje shumë e vonuar e SPAK, që nuk çbën mosveprimin e deritanishëm.