VIDEO/ 'A të të bëj një pyetje?', dilema e qytetarëve të Tiranës përballë Florjan Binajt
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka zhvilluar sot një takim spontan me disa qytetarë në kryeqytet, si pjesë e fushatës së tij për zgjedhjet lokale.
Binaj vijon çdo ditë takimet me qytetarë të ndryshëm të Tiranës, për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen e qytetit.
Gjatë bisedës me çiftin, qytetari iu drejtua kandidatit me pyetjen: “A mund të të bëj një pyetje? A mund të rregullohet Tirana, se është shumë lëmsh?”.
Binaj iu përgjigj: “Po patjetër që mund të rregullohet. Nëse ne përpiqemi dhe duam të gjithë që të rregullohet. Deri tani nuk është dashur, nuk ka dashur njeri”.
Ndërsa gruaja që e shoqëronte qytetarin theksoi dëshirën e përbashkët të banorëve për një qytet më të pastër dhe më të rregullt: “Dëshirën e kam, e kanë të gjithë të shohin Tiranën të lulëzuar, me projekt, me sistem, me pastërti.”
Në përfundim të bisedës, Binaj theksoi se ndryshimi është i mundur vetëm përmes përfshirjes së qytetarëve: “Ne mund ta rregullojmë bashkë.”