VIDEO/ Pas 45 vitesh, vrasja e vëllait të Presidentit Mattarella rikthehet në qendër të hetimeve të Antimafias Italiane
Pas 25 vitesh, çështja e vrasjes së Piersanti Mattarella, vëllait të Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, është rikthyer në vëmendje me zhvillime të reja hetimore.
Prokuroria e Republikës së Palermos, Drejtoria Rajonale Antimafia njoftoi sot se ka ekzekutuar një urdhër arresti shtëpiak ndaj Filippo Piritore, ish-funksionar i Policisë pranë Skuadrës Operative të Palermos, aktualisht në pension.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Piritore-s është ngritur akuza për pengim të drejtësisë përmes deklaratave mashtruese (neni 375 i Kodit Penal italian). Ai dyshohet se, gjatë dëshmisë së dhënë në shtator 2024, ka bërë deklarata të pavërteta që kanë penguar hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Mattarella-s, ngjarje që tronditi Italinë më 6 janar 1980.
Hetimet lidhen me një element kyç të dosjes: një dorezë lëkure ngjyrë kafe, e gjetur në makinën Fiat 127 të përdorur nga atentatorët ditën e krimit, e cila asnjëherë nuk është sekuestruar nga policia dhe është zhdukur pa gjurmë, raporton gazetaria Alba Kepi.
Sipas Prokurorisë, dëshmia e rreme e ish-zyrtarit ka ndikuar në devijimin e hetimeve, duke penguar mundësinë për të zbuluar prova të reja mbi autorët e atentatit.
Vendimi për masën e arrestit shtëpiak është marrë nga Gjykata e Palermos, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë dhe pas marrjes në pyetje të të dyshuarit. Prokuroria thekson se përgjegjësia penale e tij mund të përcaktohet vetëm në fund të procesit gjyqësor, nëse do të konfirmohen provat përkatëse.