‘Ligj m...i, po na shkatërron vendin’/ Ministri gjerman shpërthen kundër legalizimit të kanabisit
Nga Joseph Ranger, BILD
Gjatë prezantimit të sotëm të raporteve mbi “Kriminalitetin e Organizuar” dhe “Drogat”, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, lëshoi alarmin: “Kemi një problem masiv me drogat në Gjermani”. Sipas tij, po regjistrohet një trend drejt përdorimit të drogave më të forta dhe më të rrezikshme. Të dhënat për drogat e forta si ekstazi, kristal dhe kokainë tregojnë se në vitin 2024 ka pasur një rritje dyshifrore. “Droga të forta po përparojnë,” tha Dobrindt. Krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë të lidhura ngushtësisht, dhe gjithnjë e më shpesh të rinjtë rekrutohen nga bandat.
Në trendin pesëvjeçar, rastet e tregtimit të kokainës u rritën me 45 për qind, që do të thotë: po tregtohet dhe konsumohet gjithnjë e më shumë kokainë.
Numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të krimeve të drogës ka rënë me 34 për qind krahasuar me vitin 2023. Por, sipas Dobrindt, ky është një “shtrembërim statistikor që vjen nga legalizimi i pjesshëm i kanabisit”.
Për shkak se konsumi dhe posedimi i kanabisit u legalizuan me kushte nga qeveria e mëparshme, këto raste nuk regjistrohen më si krim droge.
Ministri i Brendshëm nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë paraardhëse për legalizimin e kanabisit: “Një ligj muti, nëse doni mendimin tim. Ligji është i dëmshëm për shoqërinë tonë, për fëmijët dhe për shtetin tonë ligjor. Me këtë ligj i është hapur dera trafikut ilegal dhe kriminal të drogës”.
Aktualisht ekspertët po shqyrtojnë efektet e ligjit, dhe rezultatet finale pritet të jenë gati deri në vitin 2028.
Edhe Përfaqësuesi për Drogat, Hendrik Streeck, lëshoi alarmin për shkak të shifrave të drogës. Ai u fokusua te drogat e forta dhe ilegale (p.sh. krak, fentanil): “Asnjëherë më parë përdorimi i përzier i disa substancave nuk ka qenë kaq i përhapur: katër, pesë, gjashtë substanca të ndryshme njëkohësisht. Dhe numri i viktimave nga droga nën moshën 30 vjeç është rritur me 14 për qind. Pra, të rinjtë konsumojnë më shumë se më parë”.
Presidenti i Zyrës Federale të Krimit, Holger Münch, paralajmëron për ide gjithnjë e më të reja të trafikantëve të drogës për të sjellë substancat e tyre në Gjermani. Ai tregon se gjithnjë e më shumë kriminelë po përdorin porte më të vogla në Francë dhe Spanjë, sepse portet e thella në Gjermani dhe Holandë kontrollohen më rreptësisht. Ai thekson: “Grupet kriminale paraqesin një potencial të lartë rreziku. Sepse ato përdorin dhunë dhe ryshfet për të ndikuar në strukturat shoqërore”.