Letërsitë e vogla dhe 'mrekullia' e Nobelit

Nga Agron Tufa/

Çmimi "Nobel" në letërsi nuk është "Gjyqi i fundit" për një shkrimtar. Për më tepër që këtë çmim nuk do kanë fituar shpesh shkrimtarë të jashtëzakonshëm duke filluar nga Lec Tolstoi, Xhojsi, Prusti, Kafka, Borhesi, Nabokovi etj, etj. Duhet se shpesh Akademia e Nobelit niset nga kritere të përziera koniukturash socio-politike, ideologjike e nacionale dhe ka raste, sado të pakta, që nobelisti nuk të bind në virtytet artistike.

Por në historinë e Çmimit Nobel në Letërsi, ndër dhjetëra emra të mëdhenj që e fituan atë në kulmin e famës së tyre, dallojnë disa raste të rralla, thuajse të pabesueshme: shkrimtarë e poetë që shkruanin në gjuhë të vogla, pa përkthime, pa botime ndërkombëtare, e megjithatë u zgjodhën nga Akademia Suedeze për nderin më të madh letrar.
Ky është një nga paradokset më fisnike të Nobelit: se ndonjëherë, një letërsi që jeton në heshtje, larg qarkullimeve të mëdha gjuhësore, mund të shquhet si vlerë universale.

1. Zërat që dolën nga heshtja

Nga Islanda e largët në Çekosllovakinë e censuruar, nga Greqia e pasluftës deri në Hungarinë e mbyllur, letërsitë e vogla kanë dhënë disa nga fituesit më domethënës të Nobelit:

Halldór Laxness (islandisht, 1955), Ivo Andrić (serbo-kroatisht, 1961), Giorgos Seferis (greqisht, 1963), Isaac Bashevis Singer (jidish, 1978), Odysseas Elytis (greqisht, 1979), Jaroslav Seifert (çekisht, 1984), Imre Kertész (hungarisht, 2002) dhe Tomas Tranströmer (suedisht, 2011).
Para çmimit, shumica e tyre ishin thuajse anonimë jashtë kufijve të gjuhës së tyre amtare.

Laxness-i nuk kishte asnjë përkthim në anglisht; Seferis-i qarkullonte vetëm në disa antologji poetike të mbyllura; Singer-i shkruante në një gjuhë “pa komb”; Kertész-i ishte pothuaj i padukshëm në tregun evropian.

E megjithatë, Akademia Suedeze i dëgjoi.

Kjo përbën një sensacion kulturor: në një botë letrare të dominuar nga gjuhët e mëdha, disa vepra të shkruara në “gjuhë të vogla” u njohën si zëra të ndërgjegjes universale.

2. Si mund të zbulohet një autor që nuk është përkthyer?

Në dukje, kjo është një pyetje e pamundur: si mund të gjykohet një vepër që nuk ka mundësi të lexohet?
Por Akademia Suedeze, ndryshe nga juritë e zakonshme letrare, ka pasë ndërtuar ndër vite një rrjet të dendur ndërmjetësish kulturorë — profesorë, përkthyes, ambasadorë letrarë dhe ekspertë të gjuhëve të rralla — të cilët përgatisin dosje me përkthime të pjesshme për kandidatët e propozuar. Duket se prej kohësh kjo traditë nuk bëhet e gjallë.
Në disa raste të njohura: për Halldór Laxness, përkthime të posaçme u përgatitën në suedisht; për Seferis-in, ambasada greke në Stokholm ndërmjetësoi dorëshkrime poetike;
për Jaroslav Seifert, Akademia u mbështet te dëshmi të kritikëve çekë në mërgim; për Imre Kertész, një anëtar i Akademisë e zbuloi përmes përkthimit gjerman të romanit Fatelessness.

Pra, del se Nobel- në këto rastei është dhënë jo mbi bazën e qarkullimit ndërkombëtar, por falë kërkimit të drejtpërdrejtë të vlerës, të ndihmuar nga përkthime të përkohshme apo dëshmi letrare.

Kjo tregon se ka pasur një dimension etiko-estetik të Akademisë: dëshirën për të dëgjuar edhe ata që nuk dëgjohen.

3. Rasti i gjuhëve të vogla si provë e universalitetit

Për këta autorë, gjuha e vogël nuk ishte pengesë, por provë e forcës së tyre estetike.

Laxness, me romanet e tij të bujqve islandezë (romani "Njerëz të pavarur"), preku temat e njeriut të varfër e të lirë; Seferis dhe Elytis, në një greqishte të mbushur me dritë, folën për fatin e njeriut mes historisë dhe detit; Kertész shkroi për fatin e njeriut pa fat; Singer i dha shpirt një bote të zhdukur, me figura që i flasin çdo kohe.
Në secilin rast, Akademia nuk shpërbleu famën, por përmasën universale të përvojës njerëzore, të përkthyeshme përtej gjuhës.
Kështu, Nobeli u bë një akt besimi ndaj letërsisë vetë — ndaj idesë se letërsia e madhe është e kuptueshme në çdo gjuhë, edhe kur ajo nuk është përkthyer ende.

4. Mrekullia e “zbulimit”

Në këto raste, çmimi Nobel nuk ishte kurorëzim, por zbulim.
Ai nuk e shpërbleu suksesin, por e krijoi atë.

Pasi u dha, përkthimet erdhën me valë: Laxness u përkthye në mbi 40 gjuhë; Seferis dhe Elytis në çdo antologji moderne; Kertész nga një autor i panjohur u bë klasik i shekullit XX.

Në këtë mënyrë, Akademia Suedeze luajti rolin e një “shpëtimtari kulturor”, që nxori nga margjina autorë të heshtur e i vendosi në qendër të hartës letrare botërore.

Në themel të këtyre historive qëndronte (tash e harruar) një mrekulli e thjeshtë: se arti i madh nuk njeh kufij gjuhësorë.
Çmimi Nobel, në këto raste, nuk është vetëm një vlerësim letrar, por një akt zbulimi — një fener që ndriçon atje ku askush nuk kishte parë.
Habia që ndjejmë para emrave si Laxness, Seferis apo Kertész është, në të vërtetë, habia e letërsisë vetë: që fjala, edhe kur lind në një cep të vogël të botës, mund të kumbojë në gjuhën e përbashkët të njerëzimit.