Hetimet për vrasjen e pronarit grek dhe mikut të tij shqiptar, priten të tjera arrestime

Zhvillime të reja priten në hetimet për vrasjen e pronarit grek të një kampingu dhe mikut të tij shqiptar në Finikunda, për të cilën janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim dy 22-vjeçarë.

Sipas mediave greke, në duart e hetuesve që po trajton rastin ka mbërritur analiza e komunikimeve telefonike nga nata fatale e ngjarjes.

Autoritetet pritet të kenë tashmë një pamje të qartë mbi numrat e telefonave, si dhe për thirrjet që u kryen.

Sipas burimeve hetimore, para dhe pas vrasjeve, antenat e telefonisë celulare që mbulojnë zonën përreth kampingut ku ndodhi ngjarja janë aktivizuar disa herë.

LEXO EDHE: Tha se kishte notuar, por kamerat e kapën në stacionin e autobusit autorin e vrasjes së pronarit grek të kampingut dhe punëtorit shqiptar

 

Në dëshmitë dhe rrëfimet e dy të rinjve të arrestuar janë konstatuar mospërputhje të dukshme, duke lënë të hapur mundësinë që në ngjarje të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë.

Burime policore thanë për mediat se hetimet janë tepër sekrete. Një korrespondencë e klasifikuar është dërguar nga një shërbim qendror në Athinë drejt Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Kalamatës, për të përshpejtuar procedurat.

LEXO EDHE: Kush i vrau pronarin grek dhe mikun e tij shqiptar në Greqi? Dy të rinjtë e dyshuar i hedhin fajin njëri-tjetrit me deklarata kontradiktore!

Të gjitha të dhënat tregojnë se puzzle-i hetimor po plotësohet, dhe nuk përjashtohet që në ditët në vijim të lëshohen urdhra të rinj arrestimi, disa në rajonin e Mesenisë dhe të tjerë në Atikë.