‘Lajm i fabrikuar’, Vata: Anëtarët e PS, Mat, kërkonin të shantazhonin mbështetësit e kandidatit të pavarur
Deputetja e PD-së në Mat, Denisa Vata, ka përgënjeshtruar një lajm të fabrikuar nga PS në këtë bashki ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme locale në 9 nëntor, të cilët janë përpjekur të paraqesin si ‘incident’ një situatë që në fakt lidhet me përpjekjen e socialistëve për të shkelur ligjin dhe për të intimiduar mbështetësit e kandidatëve të pavarur.
Në postimin e saj në Facebook, Vata thekson se ‘anëtarët e PS në KZAZ nr.16 kanë kërkuar të fotografojnë emrat dhe firmat e qytetarëve që kanë mbështetur kandidatët e pavarur, me synimin që t’i dërgonin më pas në strukturat e partisë së tyre për t’i telefonuar dhe për t’u ushtruar presion që të tërhiqnin firmat dhe të votonin PS-në’.
‘Ky veprim përbën shkelje të rëndë të të dhënave personale dhe është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe udhëzimet e KQZ-së. Komisionerët e Partisë Demokratike kanë ndërhyrë për të penguar këtë shkelje ligjore, duke vepruar në përputhje me detyrimet e tyre ligjore dhe morale për të mbrojtur procesin zgjedhor nga manipulimi’, shkruan Vata.
Postimi i plotë:
Përgënjeshtrim ndaj lajmit të fabrikuar nga PS në Mat
Një lajm i rremë, i shpërndarë nga kryetari i PS-së në Mat, Hasan Pasha, po mundohet të paraqesë si “incident” një situatë që në fakt lidhet me përpjekjen e socialistëve për të shkelur ligjin dhe për të intimiduar mbështetësit e kandidatëve të pavarur.
E vërteta është kjo:
Anëtarët e PS në KZAZ nr.16 kanë kërkuar të fotografojnë emrat dhe firmat e qytetarëve që kanë mbështetur kandidatët e pavarur, me synimin që t’i dërgonin më pas në strukturat e partisë së tyre për t’i telefonuar dhe për t’u ushtruar presion që të tërhiqnin firmat dhe të votonin PS-në.
Ky veprim përbën shkelje të rëndë të të dhënave personale dhe është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe udhëzimet e KQZ-së.
Komisionerët e Partisë Demokratike kanë ndërhyrë për të penguar këtë shkelje ligjore, duke vepruar në përputhje me detyrimet e tyre ligjore dhe morale për të mbrojtur procesin zgjedhor nga manipulimi.
Pasi u penguan të fotografojnë dokumentet, përfaqësuesit e PS-së shpikën pretendimin e radhës, sikur donin “vetëm të telefononin” qytetarët ,një justifikim absurd që nuk gjen asnjë bazë ligjore.
Është e qartë se frika e humbjes i ka kapur keq. Sondazhet i nxjerrin shumë poshtë, ndaj po përpiqen të krijojnë alibi për një proces që e ndjejnë të humbur.
Po kërkojnë të kandidojnë me një “kandidat të vetëm”, si në vitin 2019, kur Agron Malaj mori “fitoren në tavolinë”.
Por këtë herë, historia nuk do të përsëritet.
U bëj thirrje anëtarëve të KZAZ-së të propozuar nga Partia Socialiste të kujtojnë se detyra e tyre është ligjore dhe kushtetuese, jo partiake.
Ata janë aty për të garantuar zbatimin e ligjit dhe integritetin e procesit zgjedhor, jo për të zbatuar urdhra politikë apo për të shërbyer si instrument presioni ndaj qytetarëve.
Nëse raste të tilla shkeljesh përsëriten, Partia Demokratike do t’i denoncojë menjëherë në Prokurori, sepse askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të cënojë të drejtën e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.