Dy avionë ushtarakë rusë shkelin hapësirën ajrore të NATO-s, mobilizohet mbrojtja
Dy avionë ushtarakë rusë hynë për rreth 18 sekonda në hapësirën ajrore të Lituanisë, një anëtare e NATO-s, të enjten pasdite, njoftoi ushtria lituaneze.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një avion luftarak Su-30 dhe një avion cisternë Il-78, të cilët dyshohet se ndodheshin në një mision stërvitor për furnizim me karburant kur shkelën kufirin ajror rreth orës 15:00 GMT.
Avionët hynë në territorin lituanez nga rajoni rus i Kaliningradit, dhe menjëherë pas incidentit, avionë Eurofighter Typhoon të Forcave Ajrore Spanjolle, pjesë e Policisë Ajrore Baltike të NATO-s, u ngritën për të patrulluar zonën dhe për të siguruar hapësirën ajrore.
Lituania, e cila ndan një kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit, është anëtare e NATO-s që prej vitit 2004. Incidenti vjen në një kohë tensionesh të shtuara midis Rusisë dhe aleancës perëndimore në rajonin e Baltikut.