Fiket motori i avionit në 4 mijë metra lartësi, dramë në ajër

Një avion i linjës ‘Blue Islands’ u detyrua të bënte ulje emergjente pasi pasagjerët dëgjuan zhurma të forta ‘përplasjesh’ që vinin nga njëri prej motorëve. Ngjarja ndodhi në fluturimin SI-5581, që udhëtonte nga Dublini drejt ishullit Jersey.

Vetëm pak minuta pas ngritjes, në një lartësi prej rreth 4 mijë metrash, ekuipazhi raportoi defekt në motorin e djathtë, i cili u fik menjëherë për arsye sigurie. Avioni qëndroi në ajër për rreth 20 minuta, për të kryer procedurat e uljes së kontrolluar, dhe më pas u kthye në Aeroportin e Dublinit, ku u ul pa probleme rreth 30 minuta pas nisjes.

Një pasagjer i pranishëm në bord tha se fluturimi kishte pasur rreth një orë vonesë para nisjes. Ndërkohë, sipas portalit të specializuar ‘Aero Inside’, motori i dëmtuar kishte lëshuar tinguj të pazakontë pak përpara se të ndalej plotësisht.