VIDEO/ Hoxhaj: Skema e Zotkajt, një tjetër aferë që ekspozon amnistinë e prokurorisë ndaj zyrtarëve të pushtetit
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Julian Hoxhaj, gazetar dhe autor i emisionit investigativ “Plug” në SYRI TV, foli mbi aferat e kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, dhe lidhjet e tij me ish-deputetin socialist Vladimir Kosta.
Ndër të tjera ai u shpreh: “Ka një element që është sa për të qeshur edhe ironik, fakti që duket sikur kryebashkiakët kanë ndjekur të njëjtën shkollë ose ndjekin të njëjtën rrugë dhe të njëjtat gjurmë që ka ndjekur lideri i tyre politik, kryeministri i vendit, Edi Rama. Ju e dini se si i ka justifikuar kryeministri pasuritë e tij — njëherë me të ardhura nga emigracioni, njëherë me para të bashkëshortes, ndërkohë që aty ka hije dyshimi edhe për çështjen e blerjes së pronës në Surrel.”
Sipas Hoxhajt, e njëjta skemë justifikimi përdoret edhe nga kryebashkiakët socialistë. “Në emisionin e mbrëmjes së djeshme Plug, morëm dhe shqyrtuam një vendim të prokurorisë së Beratit. Është një nga ato vendime që do turpëronte çdo student që sapo ka mbaruar shkollën e Magjistraturës. Prokurori që ka bërë hetimin pasuror të Zotkajt, në një çështje të nisur nga kallëzimi i ILDKPI-së në vitin 2017, e mbylli dosjen për 45 ditë, duke e amnistuar,” tha ai.
Gazetari theksoi se ILDKPI kishte evidentuar pasuri të dyshimta të Zotkajt, përfshirë troje, llogari bankare, kontrata qiraje dhe automjete, por prokuroria arriti në përfundimin se pasuritë ishin të ligjshme. “Është e pamundur që të bëhet një hetim pasuror i tillë për më shumë se 10 vjet në kaq pak kohë,” shtoi Hoxhaj.
Sipas tij, vetëm dy mundësi ekzistojnë: “Ose prokuroria e ka marrë dosjen të gatshme dhe e ka firmosur pa hetuar, ose prokurori nuk i ka dhënë ekspertëve financiarë të gjitha dokumentet për analizë.”
Më tej, Julian Hoxhaj deklaroi se “hetimet për Zotkajn janë shembulli tipik se si prokuroria po amniston kryebashkiakët e Rilindjes dhe po shndërrohet në noter të aferave korruptive. Skema është e njëjtë në shumicën e bashkive socialiste.”
Mbrëmë në Plug u shfaq:
Në emisionin investigativ “Plug” të transmetuar mbrëmjen e djeshme në SYRI TV, u publikuan dokumente dhe fakte të reja mbi aferën e kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, duke zbuluar një rrjet transaksionesh, huash dhe lidhjesh politike që, sipas tij, janë mbuluar nga prokuroria përmes një hetimi formal dhe të paplotë.
Sipas investigimit, në këtë skemë përfshihen edhe kompani të familjarëve të Zotkajt, ndërsa në qendër të dosjes del një borxh prej 200 mijë eurosh që ish-deputeti socialist Vladimir Kosta i ka dhënë Zotkajt në vitin 2008 — një shumë që nuk është shlyer as pas 18 vitesh. Sipas “Plug”, ky borxh është përdorur për të justifikuar pasuritë e Zotkajt, ndërkohë që vetë Kosta nuk e ka deklaruar kurrë këtë shumë në formularët e pasurisë pranë ILDKPI-së.
Emisioni zbuloi gjithashtu se, ndonëse ekspertët e prokurorisë kanë pranuar se nuk kanë arritur të vërtetojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave të Zotkajt, në përfundim ata kanë firmosur se pasuritë e tij janë të justifikuara — vendim që është përdorur nga prokurori për ta mbyllur çështjen.
Gazetari dhe autori Julian Hoxhaj theksoi se ky rast tregon mënyrën se si prokuroria amniston kryebashkiakët socialistë përmes vendimeve të dobëta dhe hetimeve të mangëta. Ai paralajmëroi se skema e përdorur nga Zotkaj përsëritet edhe në shumë bashki të tjera të drejtuara nga Partia Socialiste, duke përfshirë kompani dhe persona të lidhur ngushtë me pushtetin vendor e qendror.
“Plug” do të vijojë në javët e ardhshme me publikimin e të tjera dokumenteve që, sipas redaksisë, zbulojnë mënyrën si drejtësia po kthehet në noter të aferave korruptive të pushtetarëve të majtë.
Hoxhaj:
Ka një element që është sa për të qeshur edhe ironik, fakti që duket sikur kryebashkiakët kanë ndjekur të njëjtën shkollë ose ndjekin të njëjtën rrugë edhe të njëjtat gjurmë që ka ndjekur lideri i tyre politik, kryeministri i vendit Edi Rama.
Ju e dini se si i ka justifikuar kryeministri i vendit pasuritë e tij, duke nisur që nga banesa, vila në fshatin Surrel, njëherë thoshte që i kam të ardhura nga emigracioni, njëherë thoshte që janë para të bashkëshortes, etj. etj., ndërkohë që aty ka hije dyshimi edhe për çështjen e blerjes së pronës.
Dhe e njëjta gjë kur vjen puna te pasuria ndodh edhe me kryebashkiakët socialistë, të paktën ata që ne kemi parë deri më sot.
Skema është njëjtë.
Në emisionin e mbrëmjes së djeshme Plug mori dhe shqyrtoi një vendim të prokurorisë së Beratit. Është një nga ato vendime që do turpëronte çdo student që sapo ka mbaruar shkollën e Magjistraturës dhe, në një farë mënyre, nuk ka eksperiencë për të hetuar, pse prokurori që ka bërë hetimin pasuror të zotit Zotkaj dhe që ka qenë një hetim i nisur për shkak të një kallëzimi penal që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive në vitin 2017, lidhet me faktin se ILDKPI ka gjetur një sërë pasurish të dyshimta, duke përfshirë troje, duke përfshirë llogari bankare, kontrata qiraje, duke përfshirë automjete, makineri ekskavatorë, pra mjete pune, dhe hua të ndryshme, hua, kredi apo edhe nga miq të kryebashkiakut, të cilat ILDKPI i ka çuar në prokurori.
Dhe prokuroria, në një kohë rekord prej vetëm 45 ditësh, ka arritur të bëjë të gjithë analizën financiare, që për ekspertët e fushës, ekspertët kontabël që sigurisht këshillojnë edhe emisionin Plug dhe nxjerrin në pah edhe analizat financiare, është e pamundur që të bëhet një hetim i tillë pasuror.
Pra, të hetosh një pasuri më shumë se 10-vjeçare, pra më shumë se 10 vjet, dhe të hetosh të gjitha pasuritë, transaksionet bankare etj. etj. të një personi dhe të arrish në konkluzionin që pasuritë janë të ligjshme.
Tani janë dy teori: ose prokuroria e ka marrë dosjen të gatshme dhe thjesht e ka firmosur duke mbyllur hetimet dhe duke amnistuar kryetarin e bashkisë, ose prokurori sërish nuk i ka dhënë në dispozicion të gjitha dokumentet e ekspertëve financiarë të Prokurorisë së Përgjithshme për të bërë këtë analizë.
Ideja është që hetimi prokuror për dyshimet e ngritura nga ILDKPI ka përfunduar me amnistimin dhe pa gjetjen e asnjë shkeljeje nga ana e prokurorisë, që në fakt, nga verifikimet dhe nga ato që kanë parë ekspertët kontabël të emisionit Plug, rezulton që është e kundërta.