SYRI TV/ Shkodër, banorët: Sapo bie shi rruga bëhet e pakalueshme, kemi marrë vetëm premtime fushate

Amortizimi i rrugës prej vitesh është kthyer në një shqetësim të madh për banorët e Shkodrës, të cilët thonë se sapo bie shi, fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë. Gropat me ujë, balta dhe mungesa e infrastrukturës e kanë bërë jetën e tyre të përditshme të vështirë, ndërsa bashkia dhe qeveria mjaftohen vetëm me premtime në fushata elektorale.

Banorët shprehen të irrituar nga mosreagimi i institucioneve, duke theksuar se paguajnë taksat rregullisht, por nuk marrin asnjë shërbim në këmbim. “Premtojnë sa herë që vijnë për vota, pastaj na harrojnë. Kjo rrugë është bërë si lum, fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë”, shprehen ata me indinjatë.

Zona ndodhet vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit të Shkodrës, por banorët thonë se jetojnë në kushte të mjerueshme, pa asnjë ndërhyrje për përmirësimin e rrugës që lidh dhjetëra familje me qytetin.

Ndërkohë që qeveria propagandon projekte infrastrukturore miliardëshe, realiteti në Shkodër tregon një tjetër tablo banorë të lënë në baltë, rrugë të amortizuara dhe premtime të pambajtura.