'Jo në emrin tonë'/ Figurat hebraike thirrje udhëheqësve botërorë: Mbroni armëpushimin, hetoni gjenocidin e jepini fund pushtimit izraelit

Një numër figurash hebraike dhe izraelite u kanë shkruar një letër të hapur udhëheqësve botërorë, duke i nxitur ata të mbrojnë armëpushimin, të kërkojnë llogaridhënie për krimet e kryera nga Izraeli - përfshirë gjenocidin - dhe t'i japin fund "pushtimit dhe aparteidit" të Izraelit.

“Nuk duhet të ketë dyshim se ky armëpushim është i brishtë: forcat izraelite mbeten në Gaza, marrëveshja nuk i referohet Bregut Perëndimor, kushtet themelore të pushtimit, aparteidit dhe mohimit të të drejtave të palestinezëve mbeten të pazgjidhura”, thuhet në letër.

“Ne përulim kokën me hidhërim të pamasë, ndërsa grumbullohen prova që tregojnë se veprimet e Izraelit do të gjykohen, se kanë përmbushur përkufizimin ligjor të gjenocidit. Tashmë po bëhen përpjekje për të mohuar përgjegjësinë dhe për të rivendosur të njëjtin manual të prishur të pandëshkueshmërisë. Kjo nuk mund të kalojë”, thuhej gjithashtu në të.

Letra vazhdonte, duke e quajtur atë një apel nga hebrenjtë e "të gjitha sferave të jetës": "Nuk kemi harruar se kaq shumë ligje, karta dhe konventa të vendosura për të mbrojtur të gjithë jetën njerëzore, u krijuan në përgjigje të Holokaustit."

“Si hebrenj dhe si qenie njerëzore, ne deklarojmë: Jo në emrin tonë. Jo në emër të trashëgimisë sonë, besimit tonë apo traditës sonë morale. Shkalla monumentale e vrasjeve dhe shkatërrimeve, zhvendosja me forcë, mohimi i qëllimshëm i nevojave jetësore dhe veprimet kriminale të vazhdueshme në Bregun Perëndimor, duhet të marrin fund dhe të mos përsëriten kurrë.”

"Nuk do të pushojmë, derisa ky armëpushim të çojë në fund të pushtimit dhe aparteidit."/ Al Jazeera.