Bayern merr frymë lirisht, Musiala rikthehet në stërvitje pas 110 ditësh mungesë

Një lajm i shkëlqyer për Bayernin dhe tifozët e tij: Jamal Musiala është rikthyer më në fund në stërvitje, plot 110 ditë pas dëmtimit të rëndë që pësoi gjatë Kupës së Botës për Klube në muajin korrik. Mesfushori ofensiv gjerman, produkt i akademisë bavareze, është rikuperuar plotësisht nga fraktura e këmbës dhe të enjten doli për herë të parë në fushë me grupin e trajnerit Vincent Kompany.

“Kjo është dita ime e parë në fushë pas shumë muajsh. Ndihem i lumtur dhe mirënjohës. Hap pas hapi do të rikthehem në formën më të mirë,” – deklaroi Musiala për kanalet zyrtare të klubit.

Sipas “Sky Sports DE”, objektivi i 21-vjeçarit është që të rikthehet në lojë gjatë dhjetorit, kur Bayerni do të ketë përballje të rëndësishme me Stuttgartin, Sportingun, Mainzin dhe Heidenheimin.

Pas fitores 4–0 ndaj Brugge në Ligën e Kampionëve, drejtori sportiv Christoph Freund u shpreh me kujdes:

“Rikuperimi po ecën mirë, por duhet ende pak kohë. Gjëja më e rëndësishme është që tani ai mund të mbështetet plotësisht në këmbë.”

Musiala, që shihet si një nga talentet më premtues të futbollit evropian, tregoi pjekuri edhe në fjalët e tij:

“Një dëmtim i tillë të bën të njohësh më mirë trupin tënd dhe të vlerësosh më shumë çdo ndeshje. Këto muaj më kanë bërë të kuptoj se sa shumë e dua futbollin.”