Farsa elektorale/ Konstatimi tronditës i ODIHR: Rama organizoi 4522 evente, KQZ ndaloi vetëm 18 prej tyre
Raporti i OSBE/ODIHR bën disa konstatime tronditëse për mënyrën se si i zhvillua procesi i 11 majit.
Duke theksuar disa herë se gara ishte e pabarabartë dhe se opozita kandidonte përballë partisë shtet, në raport thuhet se qeveria e Edi Ramës organizoi plot 4522 evente me ndikim elektoral.
Por sipas raportit, KQZ ndaloi vetëm 18 prej tyre.
“Për më tepër, në periudhën katër mujore para ditës së zgjedhjeve, institucionet publike dhe entitetet shtetërore duhet të raportojnë çdo aktivitet publik pranë KQZ-së së paktën pesë ditë më parë.
KQZ-ja mund të ndalojë disa evente nëse ato konsiderohen si një përdorim i mundshëm i burimeve shtetërore, të cilat nuk mund të raportohen më pas në media.
Nga 4.522 evente zyrtare të regjistruara gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ndaloi vetëm 18, duke ngjallur dyshime mbi kapacitetin e saj për të shqyrtuar të gjitha dorëzimet dhe interpretimin e saj të ngushtë të ligjit. Megjithëse shumë nga këto aktivitete formalisht përputheshin me dispozitat ligjore, volumi i tyre krijoi mundësi fushate për të zgjedhurin aktual, veçanërisht përmes institucioneve në nivel lokal në rajone ku zyrtarë të lartë qeveritarë shërbenin si koordinatorë politikë të PS-së.
Përdorimi i gjerë i këtyre aktiviteteve publike për qëllime elektorale forcoi më tej avantazhin e padrejtë të partisë në pushtet dhe e fshiu kufirin midis shtetit dhe partisë, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990,” thekson raporti.
Mes këtyre eventeve, për të cilat u shpenzuan miliona e miliona euro të taksapaguesve shqiptare ishte edhe Giro D’Italia, për të cilën zyrtarisht u dhanë 7 milionë euro nga Edi Rama.