Gabriel Guma, kandidati i pavarur në Tepelenë: Vizioni im për rilindjen e qytetit, në fokus Vjosa

Në një garë elektorale të pazakontë për Bashkinë e Tepelenës, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita, Gabriel Guma, sjell një frymë të re.

Duke sfiduar drejtuesin e Gardës së Republikës, Guma, një artist dhe arkitekt i ri, artikulon një vizion të bazuar në patriotizëm dhe një dëshirë të thellë për të ndalur hemorragjinë e largimit të të rinjve nga qyteti i tij i lindjes.

Në një intervistë për 'Kafe Shqeto' në Syri Tv i pyetur për motivimin e tij për të hyrë në një betejë kundër një “infrastrukture monstruoze politike”, Guma përgjigjet pa hezitim: “Unë e bëj sepse e dua Tepelenën. Kam bindje patriotike”

I shkolluar brenda dhe jashtë vendit, ai thekson se zemra e tij mbetet në Tepelenë dhe se përmes arsimimit dhe përvojës së tij, synon të zhvillojë qytetin në të gjitha drejtimet, nga arsimi dhe blegtoria, te turizmi dhe kultura, një fushë ku ai tashmë ka kontribuar si Ambasador i Kulturës.

Fushata e tij përshkruhet si intensive dhe thellësisht njerëzore.

Guma tregon se çdo ditë e kalon duke takuar banorët derë më derë në fshatrat e Tepelenës, duke dëgjuar hallet dhe problemet e tyre. Një nga shqetësimet kryesore që ai ka identifikuar është situata e vështirë e të moshuarve, shumë prej të cilëve, sipas tij, nuk janë as të regjistruar, gjë që e bën të pamundur marrjen e ndihmës ekonomike.

“Në qoftë se do flasim për njerëzit, Tepelena është deri diku e abandonuar. Njerëzit janë larguar në emigrim dhe të paktë janë njerëzit që janë të punësuar. Moshat e treta kanë një nevojë urgjente”

Ai përshkruan një realitet të hidhur të një Tepelene të braktisur, ku të rinjtë kanë emigruar dhe popullsia e mbetur përbëhet kryesisht nga të punësuar në administratë dhe pensionistë.

Vizioni i tij për të ardhmen e Tepelenës mbështetet në potencialin e saj strategjik. “Ne jemi në mes të zjarreve turistike,” shprehet ai, duke iu referuar afërsisë me Gjirokastrën, Sarandën, Beratin dhe Vlorën.

Ai beson se kjo pozitë gjeografike ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim, të cilat deri më tani nuk janë shfrytëzuar.

Thirrja e tij kryesore u drejtohet moshatarëve të tij:

“Dua t'ju bëj thirrje të gjithë të rinjve tepelenas që të gjejnë mundësinë në Tepelenë, jo ta shikojnë si një ikje sa më të shpejtë”.

Për të garantuar këtë, ai premton se stafi i bashkisë do të përbëhet tërësisht nga specialistë vendas. Guma deklaron me seriozitet se prioriteti i tij absolut do të jetë lumi Vjosë.

“Fokusi im është Vjosa, asgjë më shumë,” përfundon ai, duke e vendosur mbrojtjen dhe zhvillimin e këtij pasuri kombëtare në qendër të programit të tij.