Surinami po bëhet një prej vendeve më të pasura në Tokë. A është gati për këtë?

Nga Arick Wierson/

Është shumë e rrallë që dikush, aq më tepër një shtet, ta dijë pothuajse me siguri të plotë se po bëhet i pasur. Por pikërisht këtë po përjeton sot shteti i vogël i Amerikës së Jugut, Surinami.

Për dekada me radhë, Surinami ka qenë një vend i vogël, i varfër dhe i mbingarkuar me borxhe, që rrallëherë ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Por kjo situatë është gati të ndryshojë.

Duke filluar nga viti 2028, Surinami pritet të bëhet ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë, me një rritje të PBB-së që mund të kalojë 50%, kur të nisë prodhimi i naftës nën drejtimin e kompanisë franceze TotalEnergies. Projekti pritet të prodhojë rreth 220,000 fuçi në ditë, jo aq sa ta kthejë vendin në një superfuqi energjie, por mjaftueshëm për ta transformuar një shtet me vetëm 650,000 banorë.

I vendosur mes Brazilit dhe Guajanës, Surinami është një vend i pazakontë në hartën e Amerikës së Jugut, madje edhe për fqinjët e tij të Karaibeve. Si ish-koloni holandeze, ai është një nga vendet më etnikisht të larmishme në botë: një mozaik me popullsi me prejardhje indiane, javaneze, afrikane, indigjene, kineze dhe europiane. Pyjet e dendura të Amazonës përzihen këtu me ritmet e Karaibeve dhe me ndjenjën europiane të rendit.

Tani që miliarda dollarë nga të ardhurat e naftës pritet të derdhen në këtë vend të vogël, kohezioni i tij kombëtar do të vihet në provë. Dhe mënyra se si do ta menaxhojë këtë pasuri të papritur do të varet shumë nga presidentja e re e vendit, Jennifer Geerlings-Simons, gruaja e parë që mban këtë post. Ish-mjeke me profesion, ajo udhëheq një koalicion delikat me gjashtë parti në një moment vendimtar për të ardhmen e Surinamit.

Në intervistën e saj të parë ndërkombëtare për Newsweek, në kryeqytetin Paramaribo, Geerlings-Simons foli për shpresat dhe rreziqet e "epokës së naftës" që po afrohet.

"Populli dhe kompanitë surinameze duhet të marrin pjesë në çdo përfitim që do të sjellë nafta," tha presidentja. "Në të kundërt, disa do të pasurohen, por populli im do të mbetet i varfër, dhe kjo nuk është ajo që duam."

Shqetësimi i saj nuk është i pabazë. Përtej kufirit, në Guajanë, shpërthimi ekonomik nga nafta po ndryshon krejtësisht vendin, duke sjellë rritje të madhe ekonomike, por edhe ndarje të thella shoqërore. Për pesë vite me radhë, Guajana ka qenë ekonomia me rritjen më të lartë në botë, me mbi 40% në vit falë eksporteve të naftës. Surinami e ka ndjekur këtë zhvillim nga afër dhe ka mësuar disa mësime nga përvoja e fqinjit.

Gjithsesi, Surinami fillon nga një pikë tjetër. Edhe pse ka probleme me inflacionin dhe borxhin, treguesit e zhvillimit njerëzor të tij janë më të mirë se ata të Guajanës, dhe lidhjet e tij institucionale me botën e industrializuar, veçanërisht me Holandën, janë më të thella. Kjo do të thotë se edhe me më pak të ardhura nga nafta, vendi mund të arrijë ndikim më të qëndrueshëm në jetën e qytetarëve.

Sfidë e madhe do të jetë koha: shumica e borxheve të Surinamit duhet të shlyhen para se të nisë prodhimi i parë i naftës. Qeveria duhet t'i rifinancojë pa trembur investitorët dhe pa rrezikuar falimentimin.

Para se të hynte në politikë, Geerlings-Simons punonte si mjeke familjeje, një përvojë që ende ndikon në mënyrën se si e sheh shëndetin ekonomik të vendit. E pyetur se si do ta "diagnostikonte" Surinamin, ajo u mendua dhe tha: "Pacienti nuk është në gjendje të mirë ekonomike për momentin, i duhet ilaç. Por ilaçi duhet dhënë me kujdes, në mënyrën e duhur."

Me këtë krahasim, presidentja pranoi se periudha para pasurisë nga nafta do të jetë më e vështira: rindërtimi i institucioneve, rikthimi i disiplinës dhe menaxhimi i pritshmërive të popullit.

Përtej ekonomisë, Surinami ka edhe një pasuri të rrallë natyrore: rreth 93% e territorit të tij është ende i mbuluar me pyje, përqindja më e lartë në botë. Kjo i jep vendit një rol të rëndësishëm në politikën klimatike dhe mundësi për të fituar nga kreditet e karbonit. Çfarë ndodh në këtë pjesë të vogël të Amazonës do të ketë ndikim nga Brukseli deri në Pekin.

Duke ndjekur shembullin e presidentit të Guajanës, Irfaan Ali, Geerlings-Simons mendon se të ardhurat nga nafta duhet të përdoren për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të forcuar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo nuk e sheh asnjë kundërshtim mes shfrytëzimit të naftës dhe ruajtjes së natyrës.

"Mendojmë se paratë nga nafta do të na ndihmojnë të mbrojmë pyjet tona," tha ajo. "Këto të ardhura do të na japin kohë për të gjetur mënyra të tjera për të fituar para prej pyjeve tona. Kjo do të kërkojë kohë për t'u ndërtuar."

Nëse Surinami arrin ta përdorë këtë pasuri për të investuar në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë të gjelbër, ai mund të bëhet një shembull i rrallë në botë, një shtet naftëmbajtës që përdor fitimet nga karburantet fosile për të ndërtuar një të ardhme pa to.

Megjithatë, menaxhimi i pritshmërive në një vend kaq të larmishëm do të jetë një sfidë e madhe. Për shkak të përmasave të vogla, edhe sasi të vogla parash do të ndihen menjëherë në ekonomi.

Duke dalë nga pallati presidencial në Paramaribo pas bisedës me të, autori i artikullit kujtonte metaforën e saj: Surinami është si një pacient në fazë shërimi, i brishtë, por plot shpresë. Nëse do të kthehet në një histori suksesi apo në një paralajmërim për të tjerët, do të varet nga sa mirë do të ndjekë "recetën" që ka përshkruar vetë. / Newsweek - Syri.net