Si është të kujdesesh për kopshtin më vdekjeprurës në botë
Kujdestarët e kopshtit të helmeve që ndodhet pranë kështjellës Alnwick në Northumberland të Anglisë janë mësuar tashmë që çdo vit disa vizitorë të humbasin ndjenjat. Ky është kopshti më i madh në botë i dedikuar bimëve helmuese. Ai gjendet pas portave të rënda prej hekuri, plot me kafka dhe paralajmërime për rrezik. Brenda ndodhen mbi njëqind lloje bimësh aq të rrezikshme, sa askush nuk mund të hyjë pa udhërrëfyes.
Kur nisin vizitat, guidat paralajmërojnë vizitorët që të mos prekin, të mos nuhasin dhe as të mos këpusin asnjë bimë. Gjatë shëtitjes, ata tregojnë histori të vërteta për helmues të njohur dhe mënyrat sesi përdornin bimët si armë. Një nga këto histori është ajo e "Teacup Poisoner", i cili vrau motrën e vet duke e helmuar me helmarinë, ndërsa një tjetër, i quajtur "Doctor Death", ishte mjek që vrau 15 pacientë me ilaçe të krijuara nga lulja e opiumit. Jo rrallë ndodh që vizitorët të bien pa ndjenja nga emocionet dhe tregimet e frikshme, por kopshtarët thonë se mund të ndikojnë edhe aromat e forta që përzihen nga bimët si landra, bërsheni dhe shproha.
Ky kopsht u hap rreth 20 vjet më parë si një atraksion i veçantë dhe paksa i frikshëm, por me kalimin e kohës është bërë vend kërkimi për shkencëtarë, biologë dhe madje edhe shkrimtarë që kërkojnë frymëzim. Një ditë vere, kur numri i atyre që kishin rënë pa ndjenja kishte arritur rreth 70, kopshtari kryesor Mikey Leach, 38 vjeç, tregonte një gjethe dafine të hapur përgjysmë. "Kjo është një nga bimët më të zakonshme që njerëzit mbjellin për gjelbërim," shpjegoi ai. "Por nëse e çan, lëshon cianid."
Kështjella Alnwick ka qenë pronë e një familjeje fisnike angleze për më shumë se 700 vjet. Kështjella dhe 42 akrat e kopshtit përreth janë trashëguar nga Duka i 12-të i Northumberland-it, Ralph Percy, i cili u vendos aty në mesin e viteve 1990 me bashkëshorten e tij, Jane. Ishte pikërisht dukesha që vendosi ta rigjallëronte pronën, duke ndërtuar shatërvanë, labirinte, kopshte me lule, fusha të gjera bari dhe duke themeluar një organizatë bamirësie, "Alnwick Garden", që sot përfshin edhe kopshtin e helmeve.
Shumë prej bimëve që rriten aty mund të jenë shkatërruese, por disa prej tyre kanë edhe vlera mjekësore. Për shembull, mëtriku i Madakaskarit mund të shkaktojë dëmtime në mëlçi, por përdoret edhe për trajtimin e leukemisë. Megjithatë, vetë dukesha ka thënë një herë me humor: "Historia e bimëve që shërojnë më duket e mërzitshme. Më interesante është të mësosh si mund të vrasin."
Përhapja e bimëve helmuese nëpër kopshte dhe parqe private ka shtyrë disa kimistë mjekoligjorë të zhvillojnë një eksperiment njëvjeçar në këtë kopsht, për të matur sasinë e toksinave në 25 bimë që shpesh gëlltiten aksidentalisht nga fëmijët. Ata zbuluan se atropa belladonna është ndër më të rrezikshmet për fëmijët dhe se duhet bërë më shumë ndërgjegjësim publik.
Në dhomën e pushimit të kopshtarëve, një tabelë e bardhë shënonte punët e ditës: të pritet bari përgjatë rrugës hyrëse dhe të kujdeseshin për 20 madërgona helmuese. Leach tregoi se faraonët egjiptianë e përdornin madërgonën si bimë dehëse, ndërsa romakët si anestezik në betejë. Kohët e fundit, librat e Harry Potter-it e bënë këtë bimë të famshme, duke e përshkruar si një krijesë që ulërin kur e shkul nga toka. Leach tregon se një grua, adhuruese e madërgonave, i kishte dhuruar koleksionin e saj bimor. Sot ato 20 madërgona mbahen në një dhomë të veçantë, të mbuluar, pranë hapësirës së punës. "Janë rrënjët ato që janë tepër helmuese," thotë ai. "Duhet t'i mbajmë të mbyllura me rrjetë, për siguri."
Bimët më të rrezikshme janë gjithashtu ato që tërheqin më shumë vizitorë. Ricinus communis, bima që prodhon helmin e njohur si ricin, mbahet gjithmonë në kafaz. Por edhe disa bimë që duken të pafajshme, si ajo e quajtur salvia divinorum, duhen mbajtur të mbyllura sipas ligjit, sepse kur tymosen shkaktojnë halucinacione të forta për disa sekonda.
Shumë shkrimtarë misteresh dhe romane krimi vizitojnë këtë kopsht për frymëzim. Një prej tyre, shkrimtarja britanike Jill Johnson, e përdori këtë vend për të krijuar personazhin e saj, një botaniste detektive që zgjidh krime me ndihmën e bimëve helmuese. Romani i saj i parë, "Devil's Breath", doli në vitin 2023. "Ky kopsht është plot ide vdekjeprurëse," tha ajo me shaka, "dhe do të më frymëzojë për shumë kohë për të 'vrarë' më shumë njerëz në librat e mi."
Kopshti vazhdon të shtojë bimë të reja çdo vit, por deri së fundmi i mungonte një nga bimët më të dhimbshme në botë: Dendrocnide moroides, e njohur si "gympie-gympie". Kjo është një lloj hithre australiane jashtëzakonisht helmuese. Udhërrëfyesi kryesor, John Knox, e solli me kujdes në një kafaz qeni të mbuluar me qese plehrash për të shmangur qimet helmuese, që shkaktojnë ndjesi sikur trupi të digjet, sikur të godet rryma ose sikur të derdhet acid në të njëjtën kohë.
Sot, kjo bimë e frikshme mbahet në një kuti të qelqtë të mbyllur në fund të kopshtit. "Nuk e hapim kurrë pa veshur rroba mbrojtëse," shpjegon Leach. "Nëse të prek, dhimbja zgjat tri ose katër javë, dhe ndonjëherë rikthehet për vite të tëra. Është si një makth i gjallë."
Kopshti i helmeve të Alnwick-ut është një vend ku bukuria, shkenca dhe rreziku bashkëjetojnë në mënyrë të çuditshme, një kujtesë e gjallë se natyra mund të jetë po aq vrastare sa edhe magjepsëse. / National Geographic - Syri.vet