Raporti i OSBE-ODIHR për 11 majin/ Gjekmarkaj: Aktakuzë e qartë ndaj regjimit të Edi Ramës!
Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas publikimit të raportit zyrtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj shkruan se tashmë mazhoranca aktuale, politikisht dhe moralisht është ilegjitime.
Teksa i referohet raportit zyrtar të ODIHR, Gjekmarkaj thotë se Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet
‘Konstatimet tronditëse të raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, rrëzojnë përfundimisht çdo pretendim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë’, thekson Gjekmarkaj.
Sipas tij, ky raport ndërkombëtar, përbën një akt akuzë të qartë ndaj regjimit të Edi Ramës dhe mënyrës se si ai ka shkatërruar standardet demokratike në Shqipëri.
PD, vijon më tej Gjekmarkaj, do të vazhdojë betejën për rikthimin e demokracisë reale, për zgjedhje të lira dhe për një shtet që i shërben popullit, jo partisë.
Statusi:
Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet.
Konstatimet tronditëse të raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, rrëzojnë përfundimisht çdo pretendim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë. Ky raport ndërkombëtar, i hartuar nga një organizatë e paanshme dhe me autoritet të lartë, përbën një akt akuzë të qartë ndaj regjimit të Edi Ramës dhe mënyrës se si ai ka shkatërruar standardet demokratike në Shqipëri.
OSBE/ODIHR konfirmon se zgjedhjet u dominuan plotësisht nga partia në pushtet, e cila përdori shtetin si mjet elektoral dhe jo si institucion publik. Administrata shtetërore u shfrytëzua për fushatë, burimet publike u keqpërdorën në mënyrë sistematike dhe punonjësit e shtetit u vendosën nën presion politik për të mbështetur mazhorancën. Vota e lirë u zëvendësua me votën e frikës dhe nënshtrimit.
Raporti i OSBE/ODIHR evidenton gjithashtu kapjen totale të mediave, mbytjen e pluralizmit dhe zëvendësimin e informacionit të vërtetë me propagandë qeveritare. Në vend të një fushe të barabartë garimi, qytetarët u përballën me një realitet të kontrolluar, ku çdo burim publik, çdo ekran dhe çdo institucion u përdor për interesat elektorale të partisë në pushtet.
Një tjetër shqetësim serioz që nënvizon raporti është ekzistenca e sistemit të patronazhistëve, që përbën një formë të organizuar të kontrollit politik mbi qytetarët dhe votuesit shqiptarë. Ky fenomen, i konsideruar i papranueshëm nga standardet ndërkombëtare, tregon se regjimi i Ramës ka ngritur një mekanizëm survejimi dhe frikësimi për të manipuluar procesin demokratik.
Edhe dita e votimit, që propaganda e qeverisë e quajti “të qetë”, rezulton në raport të ketë qenë e mbushur me parregullsi dhe shkelje të rënda të ligjit. Strukturat lokale të pushtetit u përdorën për të ushtruar ndikim dhe për të kontrolluar procesin në çdo hallkë të tij.
Ky raport i OSBE/ODIHR është dëshmia më e qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ai konfirmon se procesi u zhvillua nën dominimin e plotë të partisë-shtet dhe se vullneti i qytetarëve shqiptarë u deformua përmes presionit, frikës dhe manipulimit.
Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet. PD do të vazhdojë betejën për rikthimin e demokracisë reale, për zgjedhje të lira dhe për një shtet që i shërben popullit, jo partisë.