Vranë babanë dhe e groposën në kasollen afër banesës, burg përjetë djalit të madh. 16 vite për djalin tjetër, vajzën e nënën
Gjykata e Durrësit ka dhënë sot dënimet për anëtarët e familjes Meta të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen e Pëllumb Metës, kryefamilarit në shkurt 2024.
Viktima Pëllumb Meta, 50 vjeç u qëllua në banesë dhe më pas u gropos në kasollen e bagëtive më 10 shkurt 2024, ndërsa trupi u gjet 13 ditë pas ngjarjes dhe më 23 shkurt u arrestuan tre fëmijët e viktimës.
Djali i madh, Hysen Meta i cili e ka qëlluar me armë babain e tij është dënuar me burg përjetë, ndërsa dënime më të lehta kanë marrë djali, vajza dhe nëna e tyre.
E motra e tij, bashkëpunëtore në krim, Hygerta Meta u dënuar me 8 vite burg, ndërsa djali i vogël i familjes, Amarildo Meta u dënua me 5 vite burg.
Blerina Meta, bashkëshortja e Pëllumb Metës është dënuar me 3 vite burg, për pengim të zbulimit të krimit.
Krimi makaber
Ngjarja e tronditëse u regjistrua në shkurt të 2024, ku Pëllumb Meta u vra në banesën e tij në Shënvlash nga fëmijët. 50 vjeçari u qëllua nga djali i tij Hysen Meta 4 herë me armë zjarr, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pasi vranë babain e fshehën krimin duke zhdukur provat si dhe duke groposur kufomën e të atit në stallën e bagetive. Për fshehjen e kufomës dhe të provave ishin të përfshirë edhe vëllai tjetër Amarildo dhe nëna e tyre Blerina.
Fillimisht krimi u mor përsipër nga e bija 19 vjeçare e viktimës por më pas policia zbuloi se ekzekutori ishte djali i madh i familjes, Hysen Meta, ai që kishte bërë dhe denoncimin në polici të zhdukjes së të atit më 13 shkurt 2024.
Deklaratat kontradiktore të pjesëtarëve të familjes Meta çuan Policinë dhe Prokurorinë e Durrësit në zbardhjen e krimit makabër.