Përshkallëzohet lufta ndaj karteleve/ Trump paralajmëron presidentin kolumbian: Do ndërhyjmë edhe nga toka
Nga Bernd Debusmann dhe Max Matza, BBC
Forcat amerikane kanë goditur një anije të dytë të dyshuar se po transportonte drogë në Oqeanin Paqësor, në kuadër të një fushate gjithnjë e më të ashpër të SHBA kundër trafikut detar të drogës.
Tre persona u vranë dhe asnjë nga forcat amerikane nuk u lëndua gjatë sulmit të së mërkurës, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ky sulm vjen një ditë pas një tjetër goditjeje amerikane në Paqësor, ku u vranë dy persona.
Sipas Hegseth, besohet se të dyja anijet transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në ujërat ndërkombëtare.
Këto sulme janë i teti dhe i nënti që nga 2 shtatori ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge – por të parat në ujërat e Oqeanit Paqësor. Shumica e goditjeve të SHBA-së deri tani kanë ndodhur në Detin e Karaibeve.
“Sot, me urdhër të Presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu edhe një tjetër sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga një Organizatë e Shpallur Terroriste,” shkroi Hegseth në platformën X.
“Këto goditje do të vazhdojnë, ditë pas dite. Këta nuk janë thjesht trafikantë droge — këta janë narko-terroristë që sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet tona,” vazhdoi ai.
Postimi u shoqërua me një video që duket se tregon një anije që merr flakë pasi u godit nga një bombë amerikane.
Më pas shihen objekte që notojnë në ujë, përpara se të duken sikur bëhen sërish shënjestër e një sulmi të dytë ajror.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka autoritetin ligjor për të vazhduar bombardimet ndaj anijeve në ujërat ndërkombëtare, por shtoi se mund t’i drejtohet Kongresit amerikan nëse vendos të zgjerojë objektivat edhe në tokë.
“Na lejohemi ta bëjmë këtë, por nëse veprojmë edhe në tokë, mund të drejtohemi te Kongresi,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën.
Ai tha se administrata e tij është “plotësisht e përgatitur” për të zgjeruar operacionet kundër drogës në tokë, gjë që do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm.
Të paktën 37 persona janë vrarë në sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, përfshirë edhe një sulm të fundit ndaj një anijeje gjysmë-nëndetëse në Karaibe.
Dy persona i mbijetuan një sulmi javën e kaluar dhe u riatdhesuan në Kolumbi dhe Ekuador.
Qeveria e Ekuadorit më vonë liroi një person – i identifikuar si Andrés Fernando Tufiño – duke thënë se nuk kishte prova për ndonjë veprim të paligjshëm. Personi tjetër, nga Kolumbia, raportohet se ndodhet ende në spital.
Lajmi për sulmin vjen ndërsa tensionet janë rritur mes administratës Trump dhe qeverisë kolumbiane të presidentit Gustavo Petro, të cilin Trump e ka cilësuar si “një bandit dhe njeri të keq”.
“Ai bën mirë të bëjë kujdes, përndryshe do të ndërmarrim veprime shumë serioze kundër tij dhe vendit të tij,” tha Trump. “Ai e ka futur vendin e vet në një kurth vdekjeprurës”.
Të dielën, Trump e denoncoi Petro-n si “një udhëheqës të paligjshëm të drogës” që “po inkurajon fuqishëm prodhimin masiv të drogës, në fusha të mëdha e të vogla, në gjithë Kolumbinë”.
Trump shtoi se SHBA nuk do të ofrojë më subvencione për Kolumbinë, e cila historikisht ka qenë një nga aleatët më të ngushtë të saj në Amerikën Latine.
Si Kolumbia, ashtu edhe Ekuadori fqinj kanë brigje të gjata në Oqeanin Paqësor, të cilat ekspertët thonë se përdoren për të transportuar drogë drejt veriut – në SHBA – përmes Amerikës Qendrore dhe Meksikës.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Ligjeve kundër Drogës (DEA), pjesa dërrmuese e kokainës që përfundon në qytetet amerikane kalon përmes Paqësorit.
Kapjet e drogës në Karaibe – ku janë kryer shumica e sulmeve të konfirmuara amerikane deri më tani – përbëjnë një përqindje relativisht të vogël të totalit, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se kjo shifër është në rritje.
Deri më sot, zyrtarët amerikanë kanë dhënë pak detaje mbi identitetin e personave të vrarë në këto sulme ose mbi organizatat e trafikimit të drogës ku ata dyshohet se bënin pjesë.
Rreth 10,000 trupa amerikane, si dhe dhjetëra avionë e anije ushtarake, janë dislokuar në Karaibe si pjesë e operacionit.