Vlerësimi për hetuesit financiar pranë SPAK/ Pretendimet për parregullsi, Braho dorëhiqet nga votimi

Këtë të enjte në orën 10:00, nis faza e tretë e vlerësimit të kandidatëve që kanë aplikuar për procedurën e konkurimit për hetues financiar pranë Prokurorisë së Posaçme.

Gazetari Fajton Gjinaj mëson se, “çështja hapi debate mbi angazhimin e prokurorit të posaçëm Klodian Braho si pjesë e komisionit, dhe që njëherësh kandidon për drejtues të SPAK. Nga ana tjetër pjesë e garës është edhe Ditmir Hoda, djali i anëtarit të KLP-së Zeqir Hoda i cili është pjesë e 11-shes që voton për kandidatët për drejtues të SPAK. Ky i fundit tha në mbledhjen e kaluar të KLP-së se nuk sheh ndonjë konflikt interesi gjatë seancës për miratimin e emrave të 4 kandidatëve për drejtues të SPAK, por megjithëkëtë, ai tha se nuk merr pjesë në votim, derisa pretendimi të sqarohet”.

Në këtë situatë, kalimi i emrave të kandidatëve u bë me 10 vota, pra pa votën e Zeqir Hodës. Burime konfirmuan se Klodian Braho është tërhequr nga ky komision më 6 tetor, ditën që ka bërë edhe aplikimin dhe dorëzuar platformën për garën e vendit vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Ndërkohë vlerësimi i kandidatëve për hetues financiar do të bëhet nga prokurorët Sotir Kllapi, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, ky i fundit zëvendësoi Brahon pas dorëheqjes.

Në fazën e tretë të konkurrimit për vetëm 4 vende vakante, do të marrin pjesë 10 kandidatë, mes të cilëve edhe Ditmir Hoda, që në dy fazat e para të konkurrimit kanë grumbulluar minimum 40 (dyzet) pikë, që janë shpallur më herët në një komunikatë zyrtare të SPAK.

Intervista e strukturuar me gojë me kandidatët për hetues financiarë, në Sektorin e Hetimit Financiar do të zhvillohet këtë të enjte, në datën 23.10.2025, në godinën e SPAK, dhe garuesit do të njoftohen individualisht për orën e caktuar për zhvillimin e intevistës. Kandidatët njoftoi SPAK, që në dy fazat e para të konkurrimit nuk kanë grumbulluar minimum 40 (dyzet) pikë do të njoftohen individualisht për rezultatet e tyre.  

Enea Arben Sharra

Ermal Niazi Milori

Argjend Shefki Tota

Kreshnik Thimi Gjeçka

Gentian Nikollë Ndoi

Ditmir Zeqir Hoda       

Ilir Bexhet Deda

Fotion Përparim Malaj       

Klodian Nikolet Vasia 

Lutfi Haxhi Minxhozi