'Nga galeritë e minierës'/ Minatorët e Spaçit në ditën e 15-të të protestës, duke kërkuar përgjigje nga qeveria

Minatorët e Spaçit kanë hyrë në ditën e 15-të të protestës, duke vijuar bojkotimin e punës në kërkim të rritjes së pagave, përmirësimit të kushteve të punës dhe njohjes së statusit të minatorit.

Këta punonjës, të cilët përballen prej vitesh me sfida të mëdha ekonomike dhe profesionale, shprehin zhgënjimin e tyre për mungesën e përgjigjeve nga institucionet shtetërore dhe presin që zëri i tyre të dëgjohet sa më shpejt.

LEXO EDHE: Protesta e minatorëve në Spaç: Mungesa e dialogut me kompaninë turke rrit pakënaqësinë, punonjësit vazhdojnë bojkotin e punës

Gjatë këtyre ditëve proteste, minatorët kanë theksuar se pagat e tyre janë të ulëta dhe nuk përmbushin nevojat bazë të familjeve të tyre, ndërkohë që kushtet e punës vazhdojnë të jenë të vështira dhe të rrezikshme. Ata kërkojnë që qeveria të marrë masa urgjente për përmirësimin e mjediseve të punës, si dhe njohjen ligjore të statusit të minatorit, që do t’u jepte përfitime sociale dhe mbrojtje më të madhe.

Protesta e minatorëve ka ngjallur reagime të ndryshme, por deri më tani nuk ka pasur një dialog efektiv mes tyre dhe autoriteteve përkatëse. Kjo situatë ka rritur tensionet dhe ka vënë në vështirësi financiare shumë prej protestuesve, të cilët tashmë po përballen me pasiguri të madhe për jetesën e tyre.

LEXO EDHE: 'S'kemi më durim për premtime boshe' – Minatorët e Spaçit në ditën e 14 të protestës: S' tërhiqemi pa zgjidhje!

Në këtë situatë, minatorët kanë bërë thirrje për solidaritet nga qytetarët dhe sindikatat e tjera të punëtorëve, duke theksuar se kjo betejë është për dinjitetin dhe të drejtat e punëtorëve në të gjithë vendin.

Minatorët e Spaçit vijojnë të qëndrojnë të vendosur në kërkesat e tyre, duke kërkuar jo vetëm zgjidhje afatshkurtra, por edhe një vëmendje më të madhe për problematikat afatgjata që prekin gjithë sektorin minerar në Shqipëri.

Çfarë dihet deri më tani: 

Punonjësit e minierës së Spaçit kërkojnë njohjen ligjore të sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të siguronte paga të drejta, kushte më të mira pune dhe mbrojtje nga abuzimet.

Ata e akuzojnë kompaninë turke “Tete Albania” për shpërfillje të kërkesave të punëtorëve dhe për presione ndaj minatorëve që i bashkohen protestës.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi akuzat për dhunë dhe ndalimet e minatorëve.

FOTO GALERI: