Drejt lirisë profesori italian i ndaluar në Shqipëri, nisin procedurat për lirimin nga burgu
Michele D’Angelo, profesori i Universitetit të L’Aquilës i ndaluar që nga gushti i kaluar në një burg në Shqipëri, do të jetë së shpejti i lirë.
Autoritetet në Tiranë kanë nisur procedurat për lirimin e tij, një lajm që është pritur me ‘kënaqësi të thellë’ nga kryetari i bashkisë së L’Aquilës, Pierluigi Biondi, i cili ka ndjekur rastin që në fazat e para, shkruajnë mediat italiane.
‘E mirëpres me kënaqësi të thellë lajmin për fillimin e procedurave për lirimin e Michele D’Angelo, bashkëqytetarit tonë të ndaluar në Shqipëri që nga muaji gusht,’ deklaroi kryebashkiaku.
‘Gjatë këtyre muajve është bërë një punë e heshtur, konkrete dhe e vendosur, që ka përfshirë që në fillim ambasadën dhe trupin konsullor, përmes Ministrisë së Jashtme dhe zëvendësministrit Edmondo Cirielli me gjithë stafin e tij, të cilëve dëshiroj t’u shpreh një falënderim të sinqertë për gatishmërinë, vëmendjen dhe ndjeshmërinë e treguar në çdo fazë të këtij rasti të ndërlikuar.’
Biondi kujtoi se ishte angazhuar personalisht në ndjekjen e situatës, pasi ishte kontaktuar nga bashkëshortja e D’Angelo-s, Vanessa:
‘Që nga ditët e para, kur u kontaktova nga partnerja e tij Vanessa, kemi ndjekur nga afër zhvillimin e situatës. Ka qenë e vështirë dhe e dhimbshme, por sot mbizotëron një ndjenjë mirënjohjeje: ndaj atyre që kanë punuar larg vëmendjes publike dhe ndaj të gjithë atyre që, me respekt dhe ndjenjë institucioni, po kontribuojnë për ta kthyer Michele-n në shtëpi. Jemi të bindur se të gjitha aspektet e çështjes do të sqarohen dhe se ai do të mund ta lërë pas këtë periudhë të trishtë.’
Lajmi për lirimin e afërt të Michele D’Angelo-s është pritur me lehtësim në L’Aquila, pas muajsh gjatë të cilëve komuniteti e ka ndjekur me vëmendje dhe ka shprehur mbështetje për familjen e tij, e cila së shpejti do të mund ta përqafojë sërish.