VIDEO/ Prokuroria e Beratit ‘amnistoi’ pasuritë e dyshimta të Adriatik Zotkajt
Në dosjen hetimore, shkruar nga dora e Olgert Rumnicit, bankat e nivelit të dytë kanë sjellë informacion për periudhën 01.01.2000 deri më 14 prill 2017. Pra, faktohet se ky informacion i është përcjellë prokurorit pas datës 14 prill 2017, ndërkohë që firma për mbylljen e hetimeve është vendosur në datën 30 maj 2017. E thënë më thjesht: edhe nëse të gjitha këto banka kanë pasur predispozitën e reagimit të menjëhershëm – gjë që është e pamundur – i kanë vënë në dispozicion prokurorisë informacionin më 15 prill.
Dhe brenda një periudhe 45-ditore (por që rezulton të jetë më e shkurtër), prokurori i ka përcjellë materialin ekspertëve të Prokurorisë së Përgjithshme; këta kanë kryer analizën voluminoze dhe i kanë kthyer përgjigje prokurorit, dhe ky i fundit, në një kohë rekord, ka përpiluar gjithashtu një vendim voluminoz për pushimin e hetimeve.
Sipas çdo eksperti ligjor dhe prokurori të pyetur nga emisioni Plug, realizimi i të gjithë këtyre praktikave në këtë periudhë kohore është i pamundur. E vetmja mundësi në këtë rast mbetet që dosja për pastrimin e Adriatik Zotkajt t’i ketë shkuar prokurorit të Beratit e gatshme dhe vetëm për ta firmosur.
Siç dyshimet mbi moskryerjen e hetimeve dhe aktet e përdorura në këtë dosje, rezultojnë me shkelje të rënda, deri në fshehje të provave, për të amnistuar kryebashkiakun e Poliçanit.
Në analizën e akteve, rezulton se Adriatik Zotkaj ka në pronësi:
Ndërtesë 17 m² e blerë në vlerën 270.000 lekë – pasuri kjo e padeklaruar, pasi në deklarimet e tij përpara prokurorit, Zotkaj thotë se e ka shitur, por hipoteka e ka rrëzuar këtë deklarim, pasi ndërtesa vijon të jetë në pronësi të tij. Por edhe pse vepra penale konfirmohet nga dokumenti i hipotekës, për prokurorin kjo nuk përbën shkelje.
Kullotë 1.100 m², e blerë në vlerën 36.300 lekë në shtator të vitit 2012. Për këtë pasuri, hetimet mbarojnë këtu, sepse prokurori teorinë nuk di ta zbatojë në praktikë. Kjo kullotë është ngjitur me tokën e blerë po nga Adriatik Zotkaj në vitin 2008 në emër të shoqërisë “Perla e Tomorrit”. Nëse në vitin 2008 ai blinte 1 metër katror për 20 euro, në vitin 2012, kur e bleu në emër të tij, kushtonte vetëm 33 lekë metri katror ose 0.2 cent.
Do të mjaftonte një ekspertizë me një vlerësues pronash, sipas procedurës, dhe gjithçka do të ishte më e qartë për prokurorin. Por për prokurorin nuk përbënte shqetësim as blerja e kësaj prone vetëm pak ditë para nënshkrimit të kontratës së qirasë me kompaninë Vodafone, në vlerën 280.000 lekë për vendosjen e një antene.
Pra, toka që Zotkaj bleu për 0.2 cent metri katror, kushtonte disa herë më pak sesa qiraja vjetore që ai do të merrte vetëm nga kjo kontratë. Edhe në këtë rast, siç kemi parë rëndom në pasurimin e eksponentëve të rilindjes, qytetarët u shesin atyre pronat për vlera qesharake, e falë "vizionit të tyre", ato prona marrin vlera milionëshe.
Për eskavatorin në vlerën 50.000 euro, të blerë më 13 janar 2011. Vetëm kaq është fjalia e ekspertëve për një pasuri me këtë vlerë. Po aq mbeti edhe hetimi i prokurorit, kur në fakt kjo është një pronë e padeklaruar në ILDKPI nga Adriatik Zotkaj.
Nëse i rikthehemi deklarimeve të tij para prokurorit, ai thotë (fq. 5):
VENDIMI I PUSHIMIT
Lidhur me eskavatorin marka Laltesi, deklaruesi ka shpjeguar se e ka blerë nga shtetasi Selim Qama për ta përdorur si aset të shoqërisë ABG për të rritur pjesën e tij takuese në kapitalin e shoqërisë. Deklaruesi shpjegon se ka rënë dakord që likuidimi i vlerës së mjetit të bëhej pas marrjes së kredisë, kusht i cili është pranuar nga Selimi pasi ishin miq. Duke qenë se mjeti rezultoi me probleme të rënda teknike, nuk u krye kurrë një aktivitet ekonomik dhe deklaruesi nuk e ka konsideruar të nevojshme deklarimin e diçkaje të parealizuar pasi palët e kanë konstatuar kontratën të pavlefshme.
Pra, Adriatiku ka ende në pronësi një eskavator në vlerën 50.000 euro sipas regjistrave të shtetit, por se deklaron se në mendjen e tij nuk e ka. Ndërkohë që as ekspertët dhe as prokurori nuk kanë kryer verifikimin e nevojshëm ku gjendet ky mjet dhe nëse është apo jo në gjendje pune, por janë mjaftuar vetëm me deklarimin e personit që akuzohet.
Sipas dosjes hetimore, Adriatik Zotkaj ka marrë kredi 75.000 euro pranë Union Bank në 20 janar 2013 për blerjen e aktiveve të qëndrueshme. Kredi e cila e ka këstin vjetor në vlerën 14.106 euro. Por ky këst kredie tejkalon vlerën që Adriatik Zotkaj deklaron si të ardhura, duke treguar pamundësi të qartë për shlyerje. Por për prokurorin Olgert Rumnicin, mundësia e të ardhurave të deklaruara për shlyerjen e kredisë nuk përbën problem, e madje duke ligjëruar edhe para të padeklaruara që Adriatik Zotkaj përdor për të shlyer këtë kredi, skemë kjo e pastër pastrimi parash. Këtë prokurori nuk e quan fshehje pasurie dhe as heton për burimin e parave që u përdorën për shlyerjen e kredisë.
4- Automjet i blerë nga Maliq Zotkaj në shtator të vitit 2012 në vlerën 70.000 lekë. Për këtë automjet të deklaruar me çmimin e një biçiklete, prokurori nuk kryen asnjë hetim, për të verifikuar të paktën llojin e mjetit dhe vërtetësinë e deklaratës së blerjes, kur i njëjti mjet në atë periudhë kishte çmim shumë herë më të lartë, e për më tepër as nuk është deklaruar në ILDKPI.
Ndërsa për pasurinë në emër të Adriatik Zotkajt nuk është kryer asnjë verifikim apo hetim, manovra dhe fshehje të të dhënash janë kryer në pasurinë në emër të të afërmve të tij. Ekspertët kanë marrë të dhënat për të ardhurat e Adriatik Zotkaj dhe familjarëve të tij dhe kanë përcaktuar se për vitet 2005-2013 këto të ardhura janë në vlerën 10.719.983 lekë.
6 - Në lidhje me analizën financiare të kompanisë ABG sh.p.k. ekspertët shprehen se sipas tatimeve kjo kompani ka dalë me humbje që nga themelimi i saj, përveç vitit 2011 që rezulton me një fitim 2 milionë lekë, por i pa shpërndarë dividend.
7 - Akt ekspertimi përmbledh dhe kreditë e marra nga Adriatik Zotkaj, duke i renditur ato sipas periudhave dhe kësteve të paguara, nuk është kryer asnjë analizë financiare nëse Zotkaj kishte të ardhura të ligjshme për të paguar këstet.
Kreditë në Union Bank:
50.000 euro - mars 2008 (shlyer brenda vitit)
50.000 euro - viti 2008
75.000 euro - viti 2011
30.000 euro - viti 2012
Kredi Raiffeisen Bank:
927.400 lekë - viti 2006
Dhe për këto kredi, sipas viteve përkatëse janë shlyer:
KËSTET E PAGUARA SIPAS VITEVE:
2008 - 3.671.4 euro plus 50.000 kredia e parë
2009 - 14.761 euro
2010 - 14.529 euro
2011 - 14.106 euro
2012 - 15.392 euro
2013 - 15.519 euro
Pra, edhe për një fëmijë shkolle që ka mësuar mbledhje-zbritje, problemi është i qartë, që Adriatik Zotkaj kishte pamundësi financiare për t’i shlyer këto këste kredie, e pa llogaritur më pas shpenzimet për jetesën e përditshme apo luksin e rritjes së dy fëmijëve.
Jo vetëm kaq, por pamundësisë për shlyerjen e kësteve të kredive i bashkëngjitet edhe fshehja e shpenzimeve për kredinë 927.000 lekë të marrë në vitin 2006 nga Adriatik Zotkaj, kur nuk ishte as biznesmen e as i duhej të rriste kapitalet.
Ndërsa për prokurorët të ardhurat e padeklaruara për shlyerjen e kësteve nuk përbëjnë problem, dokumentet nxjerrin në dritë të dhëna interesante, madje edhe mënyrën se si u futën në sistem paratë nga burimet e dyshimta.
Ekspertët citojnë se depozitimet në llogaritë e kryebashkiakut i kryejnë shtetasit: Adriatik Zotkaj, Besmir Doko, Refat Braho, Luljeta Xhaja, Klementina Xhaja, Hysen Dyrmishi dhe Arjan Hasani.
Këta persona garantë për justifikimin e pasurisë dhe shlyerjes së kësteve të Adriatik Zotkajt, i lidh një detaj shumë i rëndësishëm: punësimi i tyre në Bashkinë e Poliçanit.
Besmir Doko rezulton punonjës i Bashkisë Poliçan, i emëruar me firmën e Zotkajt dhe në vitin 2022 është emëruar administrator i kompanisë ABG.
Refat Braho – punonjës i Bashkisë Poliçan
Luljeta Xhaja – punonjëse e Bashkisë Poliçan
Klementina Xhaja është familjare e Luljetës, bashkëpuntores së Zotkajt.
Nxitimi për të mbyllur këtë dosje ka bërë që prokurori as ka denjuar t’i marrë në pyetje këta vartës të Zotkajt, minimalisht për shuar kuriozitetin se përse u lindi në zemër të sakrifikojnë të ardhurat e tyre për të paguar kreditë e kryebashkiakut.
Por për sa kohë që as ekspertët financiarë nuk i kanë zbritur këto shpenzime nga të ardhurat e kryebashkiakut, duket se e vërteta është krejt ndryshe, dhe për prokurorin kjo u la enigmë.