PLUG/ Troje, kredi bankare, borxhe dhe pasuri të dyshimta. Si ILDKPI zbuloi pasuritë e Adriatik Zotkajt
Në emisionin e kaluar, patë se si Adriatik Zotkaj ka privatizuar Bashkinë e Poliçanit me punësimin e familjarëve të tij, që më pas u shndërruan edhe në biznesmenë që privatizuan pronat e këtij qyteti. Në këtë punatët do t'ju tregojmë se si institucionet e drejtësisë u gjunjëzuan përballë të besuarit të Edi Ramës, e jo vetëm që nuk e hetuan, por përkundrazi i legalizuan pasurinë miliona euro, e gjithë e përfituar në mënyrë të dyshimtë, në mos kriminale.
Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj është një nga rastet më flagrante të nënshtrimit të drejtësisë përballë pushtetit të rilindjes. Edhe pse provat tregonin qartë shkeljet e rënda të ligjit, Prokuroria e Përgjithshme e më pas Prokuroria e Beratit amnistuan beun e Poliçanit, që nisi punën si rrogëtar dhe brenda pak vitesh u shndërrua në milioner.
Në vitin 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, publikoi njoftimin se kërkonte hetimin dhe ndjekjen penale të kryetarit të Bashkisë Poliçan, Adriatik Maliq Zotkaj. Pas një kontrolli të plotë mbi deklaratat e interesave private, u konstatuan një sërë shkeljesh flagrante dhe u kërkua që prokuroria të hetonte për 3 vepra të rënda penale: “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë”, “shpërdorim detyre” si dhe “Pastrim parash”.
Emisioni “Plug” iu drejtua me një kërkesë për informacion, Prokurorisë së Përgjithshme, e cila për fatin e kësaj dosje orientoi adresimin në Prokurorinë e Beratit ku ishte deleguar për kompetencë. Kjo e fundit, u tregua gatshme në respekt të ligjit për informimin, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e lejuar për publikim nga mediat.
Ajo që do të konstatohej nga ky vendim, tejkalonte skandalin e institucioneve të drejtësisë me amnistimin e një zyrtari të akuzuar për korrupsion.
Në Prokurorinë e Beratit, dosja iu dha prokurorit Olgert Rumniçit, i cili sapo kishte dalë nga bankat e shkollës dhe kishte marrë emërimin e parë në Prokurorinë e Beratit.
Nga të dhënat e përcjella nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, Prokurori i çështjes, minimalisht kishte detyrimin për hetimin e disa transaksioneve dhe pronave që përfshinte:
Pasuri e llojit ndërtesë 17 m² e blerë në vitin 1993 në vlerën 270.000 lekë.
Kullotë 1,100 m² e blerë në vitin 2012 në vlerën 36.300 lekë, si dhe ngjitur me këtë tokë, Adriatik Zotkaj ka blerë edhe një tjetër pronë në emër të kompanisë “Perla e Tomorrit”.
5,000 m² e blerë në datën 30.04.2008 në vlerën 100.000 euro nga Riza dhe Sabire Musabelliu.
Automjet AA 550 IB, Audi A6 i vitit 2005, zhdoganuar nga Adriatik Zotkaj në datën 09.11.2013 i deklaruar në vlerën 600 euro. Ky mjet në mars të vitit 2014 i është shitur Subjektit Planet-KB në vlerën 990.000 lekë.
Automjet AA 540 FC i blerë nga Maliq Zotkaj në shtator të vitit 2012 nga shtetasi Pal Dhima në vlerën 70.000 lekë.
Eskavator i tipit Lalësi, i cili sipas kallëzimit të ILDKPI është blerë me kontratën Nr.103 rep, nr.45 kol dt. 13.01.2011, blerë nga shtetasi Selim Qama.
Veç blerjes së pasurive të paluajtshme, transaksionet financiare të kryera nga Adriatik Zotkaj dhe familjarët e afërt të tij kanë ngritur dyshime edhe më të mëdha. Sipas deklarimeve dhe dosjes hetimore rezulton se ky shtetas ka marrë disa kredi ndër vite:
927.400 lekë pranë RZB bank në vitin 2006.
50.000 euro e marrë pranë Union Bank në mars të vitit 2008 e mbyllur brenda vitit. Po në të njëjtën bankë ka marrë edhe tre kredi të tjera: 50.000 euro në shtator të vitit 2008, 75.000 euro në janar të vitit 2011 dhe 30.000 euro të tjera në tetor të vitit 2012.
Po sipas dosjes hetimore rezulton se Adriatik Zotkaj në 1 qershor të vitit 2008 ka marrë edhe një borxh prej 200.000 euro nga deputeti Vladimir Kosta.
Pasi mblodhi informacionet nga institucionet përkatëse për pasuritë e paluajtshme dhe kreditë, prokurori Olgert Rumniçi kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme edhe kryerjen e aktit të ekspertimit financiar (fq. 8).
VENDIMI
Nga ana e organit të akuzës, me qëllim verifikimin e burimit të ligjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi dhe në zotërim të drejtpërdrejtë apo tërthortë nga shtetasi Adriatik Zotkaj… me qëllim kryerjen e një analize ekonomike të veprimeve nga shtetasit e mësipërm në llogaritë bankare, si dhe me qëllim për të verifikuar përputhjen në kohë të të ardhurave të siguruara, si dhe burimit të të ardhurave, është vendosur kryerja e ekspertimit kontabël nga zyra e ekspertëve kontabël në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në këtë kërkesë, prokuroria e Beratit kërkon të sqarohen disa pikëpyetje për:
Përcaktimin e të ardhurave ndër vite të shtetasit Adriatik Zotkaj.
Përcaktimin e të ardhurave të kompanisë “Perla e Tomorrit”, më pas ABG shpk.
Përcaktimi në mënyrë të detajuar i huave/kredive të marra/dhëna nga shtetasi Adriatik Zotkaj duke saktësuar dhe vlerën e shlyer.
Përcaktimi në mënyrë të detajuar i huave/kredive të marra nga shoqëria “Perla e Tomorrit/ABG” duke saktësuar dhe vlerën e shlyer.
Përcaktimin e burimeve të pasurive, të saktësohet nëse evidentohet ndonjë pasuri e pajustifikuar.
Përcaktimin hap pas hapi për shtetasin Adriatik Zotkaj, të shtimit të pasurisë.
Sqarimin nëse huatë e marra nga Adriatik Zotkaj dhe shlyerja e tyre justifikohen apo jo nga burimet e të ardhurave të krijuara nga ky shtetas dhe familjarët e tij.
Sqarimin nëse huatë e marra nga ABG shpk justifikohen me të ardhurat e kompanisë.
Deri këtu gjithçka duket korrekt në aspektin procedural. Por skandali nis me ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe mungesën e dhënies së informacionit të plotë nga ana e këtij prokurori ekspertëve.