VIDEO/ Bilbao përmbys Qarabag-un, Osimhen dygolësh në suksesin e Galata-s ndaj Bodø/Glimt

Athletic Bilbao rikthehet te fitorja në Champions, teksa përmbysi 3-1 (VIDEO) Qarabağ-un në “San Mamés”. Ndeshja nisi me tronditje për vendasit, pasi Leandro Andrade shfrytëzoi një keqkuptim mes Laportes dhe Paredes dhe shënoi për Qarabağ-un që në minutën e parë. Megjithatë, Athletic reagoi fuqishëm: Gorka Guruzeta barazoi rezultatin para pushimit me një goditje të saktë pas disa rasteve të humbura nga Nico Williams dhe Sancet.

Në pjesën e dytë, baskët dominuan plotësisht. Zëvendësuesi Robert Navarro solli përmbysjen me një gol të mrekullueshëm nga jashtë zonës, duke dërguar topin në cepin e sipërm të portës. Në fund, Guruzeta vulosi rezultatin 3–1 me një prekje dhe vole fantastike nga distanca.

Me këtë fitore, Athletic Club mori tri pikët e para në Champions dhe ringjalli shpresat për kualifikim.

Galatasaray vazhdoi ecurinë pozitive në Champions League, duke fituar 3–1 (Video) ndaj Bodø/Glimt, falë dopietës së Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian hapi ndeshjen që në minutën e tretë pas një pasimi të Leminës, duke ndezur entuziazmin në tribuna.

Pas disa rasteve të humbura, Osimhen përfitoi nga një kthim i gabuar i Bjørkan dhe dyfishoi avantazhin në minutën e 33-të, duke kaluar portierin Haikin me qetësi. Norvegjezët reaguan me një goditje shtylle nga Brunstad Fet, por pa sukses.

Në pjesën e dytë, Galata e vulosi ndeshjen kur Osimhen fitoi një top në zonë dhe shërbeu për Yunus Akgün, i cili shënoi për 3–0. Helmersen realizoi golin e nderit për miqtë me kokë në minutën e 76-të, por fitorja e turqve nuk u vu asnjëherë në dyshim.

Një paraqitje dominuese e Galatasarayt dhe një tjetër mbrëmje spektakolare për Osimhenin, që konfirmoi formën e tij të shkëlqyer evropiane.