VIDEO/ Afera e aeroportit të Vlorës, Meri Lika: Që kur është larguar kompania turke, tenderi duhej ribërë
Ekspertja e auditit, Meri Lika, e ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar mbi aferën e aeroportit të Vlorës, duke deklaruar se që në momentin kur është larguar kompania turke, e vetmja me eksperiencë në ndërtimin e aeroporteve, tenderi duhej të ishte anuluar dhe ribërë nga e para.
‘Pas largimit të shoqërisë turke nga konsorciumi që fitoi tenderin e aeroportit të Vlorës, kriteri kryesor nuk është më i plotësuar nga ky bashkim operatorësh. Në momentin që është kërkuar largimi i këtij ortaku, ministria nuk duhej ta kishte lejuar largimin pa gjetur një tjetër, të cilin ta kishte kaluar nën kontroll,’ deklaroi Lika.
Sipas saj, bashkimi aktual i operatorëve nuk funksionon më, pasi nuk plotëson kushtin bazë për të pasur eksperiencë në ndërtimin e aeroporteve.
‘As Mabco që është sot 98% dhe as 2A që është 2% nuk e kanë këtë eksperiencë. Kështu që në këto kushte, ose duhej të ishte kthyer mbrapsh i gjithë tenderi dhe të bëhej sërish, duke u penalizuar të tre pjesëmarrësit, ose duhej të lejohej që të zgjidhej një tjetër operator pas kontrollit nëse është i vlefshëm apo jo,’ sqaroi ekspertja në SYRI TV.
Ekspertja shtoi se qeveria shqiptare duhej të kishte garantuar kriteret që përmbante tenderi, veçanërisht atë që lidhet me aftësinë për të ndërtuar një aeroport.
Në lidhje me shitjen e kuotave nga ortaku turk, Lika shpjegoi; ‘Ortaku i ka shitur kuotat në bazë të përqindjes që i takonte atij në kuotën e kapitalit dhe asnjë qindarkë më shumë. Në asnjë ligj nuk mund t’i thuash pse e ke bërë këtë, sepse ligji ynë është shumë i cunguar. Edhe pse mund të ketë një investim shumë të madh shoqëria, në momentin që nuk e ka të rritur kapitalin, mund ta shesë në vlerën e kapitalit fillestar.’
Meri Lika shtoi se shitja e aksioneve për 4 mijë euro nuk përbën shkelje ligjore në vetvete, por fakti që koncesioni është lënë në kushte fitimi të garantuar ngre dyshime për një aferë të mirëfilltë.
‘Kur kompania ka fitime të grumbulluara, atëherë mund ta shesë dhe kapitalin neto. Ai nuk ka shkelje me shitjen e aksioneve me 4 mijë euro, por pastaj, si mund të lësh një koncesion të tillë kur e ke fitimin të garantuar? Kjo të çon në drejtimin tjetër, që këtu ka një aferë,’ tha ndër të tjera ekspertja Meri Lika në SYRI TV.