Dashuria për kombin nuk mund të bëhet kurrë një skutë rreziku për renegatin Edi Rama

Mund të themi se patriotizmi është diçka më e kapshme, më praktike si nocion, që ka të bëjë me dashurinë për Atdheun, për lirinë e tij, vetëmohimin për mbrojtjen dhe çlirimin nga zgjedha.

“Patriot” në vetvete është një fjalë e madhe, fjalë e ditës, përdoret kudo, ka lloj lloj ngjyrimesh, gjithfarë fytyrash, kuptimesh, zërash. Kur është më mirë ti kuptohet më saktë domethënia dhe kjo e fundit të mos futet në kallëpe të ndryshme, e të mos nënvleftësohen cilësitë dhe meritat që ajo nënkupton. Ne jemi ose bëhemi patriotë vetëm duke rrojtur në mes të kombit tonë.  Në çdo rast e në çdo shfaqje të fatit, ne s’duhet ta shohim kombin si një organ, që të hyn në punë në momente të caktuara, apo edhe një mbështetje ku mund të gjendet skutë të të mbroj mos të ekspozohesh  në kohë rreziku. Përkundrazi, një vend ku të mbështetesh dhe të shtrish të gjitha degët e aktiviteteve të tua. Pasi vetëm kur e zotëron këtë lloj ndërgjegje të kombit, edhe mendimet e veprimet e tua fillojnë vetvetiu të fitojnë një disiplinë, atë për të cilën ka më shumë nevojë patriotizmi apo nacionalizmi ynë. Për këtë arsye, duhet vlerësuar më fort patriotizmi i atyre shqiptarëve që pavarësish se mundësitë u janë dhënë, duan t’i shtrijnë degët e veprimeve të tyre në Shqipëri, e jo jashtë saj, pavarësisht se ata që rrinë jashtë, për shumë arsye, qoftë sociale, ashtu dhe emocionale, shfaqen si më të disponueshëm ndaj formave të paraqitjes së kësaj ndjenje.

 E rëndësishme është të theksojmë se njeriu dhe kombi janë dy kuptime që plotësojnë njëri tjetrin dhe se çdo ndërgjegje kombëtare e bën njeriun më të përsosur si njeri. Ja se si shprehet për këtë ndërgjegje njëri nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptar, Branko Merxhani. ”Njeriu përfaqëson të gjitha fuqitë e kombit të vet, ëndrrat e tij janë ëndrrat e kombit, po ashtu si shpresat e kombit janë shpresat e tij. Nëse kombi im i humb shpresat e veta do t’i jap të miat. Dhe prapë nga ai do të marr shpresë, kur të dëshpërohem. Në qoftë se kombi im nuk ka asnjë ëndërr, dhe endet rrugëve pa ideale, atëherë do t’i jap ëndrrat  e mija, idealet e mija, por përsëri fuqinë për të krijuar dhe vërtetuar ëndrrat dhe idealet e mija, do ta gjej brenda kombit tim. E nëse verbohen sytë e kombit tim dhe nuk arrin dot ti ndjejë fuqitë që ka brenda vetes, atëherë do t’ia tregoj unë rrugën me sytë e mi, që ia shohin dhe ia dallojnë mirë e bukur hovet e tij të fshehur...Ja ky duhet të bëhet  kuptimi i tij për patriotin  për patriotin e sotëm i cili ka para syve një shpopullim biblikë dhe ende nuk po zgjohet , e nëse marrim për kriter një parim të tillë mund të themi se nuk mund të bëjmë dot shquarjen e tij mes një shtrese të caktuar, pasi është po njësoj patriot edhe fshatari apo malësori që vetëmohohet për lirinë, ashtu dhe mësuesi apo intelektuali që helmohet për mësimin e gjuhës shqipe.

Por, është jo vetëm zhgënjyese, por fare  e tmerrshme, kur tek  një kryeministër si Edi Rama sot,( i cili ka arritur që ti vërë  nën këmbë të gjitha institucionet në vend),   në vend që të kishim patriotin dhe atdhedashurinë, kemi gënjeshtarin dhe antishqiptarin , i cili interesat e vendit tonë i ka shndërruar në klering për  mbajtjen e pushtetit të tij.

A mund të gjesh qoftë edhe një  fije përgjegjësie për kombin prej  tij, kur plotësisht gjysma e bashkatdhetarëve tanë janë larguar si pasoj e politikave të tij diskriminuese që ushtron ndaj tyre nëpërmjet një terrori të bardhë ?

A mund të pretendoj ndokush, se mund të gjej ndonjë shenjë patriotizmi në sjelljen politike të këtij renegati, i cili ka 12 vjet që qeverisë, duke shkulur nga rrënjët trashëgiminë tonë kombëtare dhe duke e mbjellur mbi to projekte çfarosëse  fasadë dhe tërësisht globaliste ?!..

Dashuria për kombin tënd duhet të ketë brenda sinqeritet të   pa vdekshëm dhe nuk mund të ngulitet dot kurrë duke bërë lojëra me  simbolet kombëtare, siç bën renegati Edi Rama me portretin e Ismail Qemalit ose  Skënderbeut, kur e vërteta është, se ai nuk bie më poshtë se vepra antishqiptare e Ballaban Pashës dhe Esad Pash Toptanit.

 Siç e përshkruan saktë edhe  Profor Fadil Maloku nga universitetin e Prishtinës:

“Edi Rama është ndoshta i vetmi lider në Evropë që natën qan me lot të rremë për viktimat, ndërsa ditën di të buzëqeshë para kamerave me agresorin (alias: “vëllain jo biologjik”), presidentin serb!

Për këtë shkak, Edi Rama që “loton” nëpër sheshe, por “voton kundër kujtesës”, nuk është as burrë shteti, as patriot – por vetëm një aktor minor i një tragjikomedie politike, ku flamuri përdoret ekskluzivisht si paçavër dhe rekuizitë personale, ndërkaq kombi si skenar meskin për ta hutuar e dezorientuar turmën mediokre përmes “luftës hibride”.

Mirë e ka thënë gazetari gjerman Michael Martens, kur deklaron se : “Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga koha e Nikola Pashiqit.”

Në kohën e sotme, mjetet e komunikimit, lehtësirat e shkollimit, udhëtimit, gjuhët e huaja, prirjet, moda e kështu me radhë, kanë shtruar që të gjitha pak nga pak problemin e një raporti të ri me kozmopolitizmin dhe atdhetarizmin. Të gjithë kombet, në një nivel të përgjithshëm, ngjajnë nga njëri tjetri, por megjithatë, edhe në kohën e sotme të kapërcimit të idesë shtet-nacion, ata përpiqen ti ruajnë me kujdes veçantitë e tyre kombëtare, e madje i ngrenë lart e më lart. Kështu duhet kuptuar ndjenja e atdhetarizmit, si një instinkt, vetëm me ndihmën e të cilit mund ti kuptojmë dallimet e kombeve nga njëri-tjetri. Në një kohë që kozmopolitizmi, lipset të shihet si një proces botëkuptimi që kalon nëpër disa faza. E para, duhet ta ndjejmë veten tonë ashtu siç jemi, dhe vetëm pasi ta kemi kuptuar, analizuar dhe cilësuar se cilët jemi, mund ta kuptojmë edhe më thellë kombin tonë.